

Dega e Partia Demokratike e Shqipërisë në Krujë ka zhvilluar zgjedhjet për drejtimin e ri të strukturës lokale, ku kandiduan Aulon Kalaja dhe Myftar Ismalaja.
Pas përfundimit të procesit të numërimit, fitues është shpallur Aulon Kalaja, i cili ka marrë 622 vota nga gjithsej 717 anëtarë që morën pjesë në votim nga Kruja, Fushë-Kruja dhe zonat përreth.
Zgjedhjet u zhvilluan në kuadër të bashkimit të degës së Krujës dhe Fushë-Krujës, sipas statutit të partisë.
Në fjalimin e tij të parë pas fitores, Kalaja e cilësoi rezultatin si një mandat për bashkimin e demokratëve dhe jo thjesht një shifër zgjedhore, duke theksuar nevojën për unifikim të opozitës lokale.
Ai vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në proces dhe e cilësoi atë si një shenjë angazhimi të bazës demokrate në zonë.
Kalaja falënderoi kundërshtarin e tij, Myftar Ismalaja, për garën korrekte dhe theksoi se brenda partisë nuk ka kundërshtarë, por rivalitet që sipas tij sjell progres.
Ai deklaroi gjithashtu se synon rifreskimin e strukturave të partisë dhe përfshirjen e të gjitha grupeve, përfshirë të rinjtë, themeluesit dhe ish të përndjekurit politikë, duke e cilësuar këtë si pjesë të traditës së së djathtës.
“Nuk do t’ju tradhtoj kurrë,” u shpreh Kalaja në mesazhin e tij drejtuar demokratëve, duke theksuar se synimi kryesor është rikthimi i “lavdisë së Krujës” dhe forcimi i partisë në nivel lokal.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






