Transmetuar më 19-04-2026, 21:21

Të gjitha ndërtimet e reja në Shqipëri, si dhe godinat që do t’i nënshtrohen rikonstruksioneve të thella, pritet të përballen me një detyrim të ri ligjor: instalimin e infrastrukturës së brendshme për fibër optike. Kjo masë parashikohet në projektligjin “Akti i Infrastrukturës Gigabit”, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Drafti synon të zëvendësojë ligjin ekzistues të vitit 2016 dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimi Evropian, në përputhje me rregulloren e re (2024/1309). Synimi është përshpejtimi i zhvillimit të rrjeteve me kapacitet shumë të lartë dhe teknologjive si 5G, duke hapur rrugën për një transformim të thellë digjital.

Fund pengesave dhe monopoleve në pallate

Një nga risitë kryesore lidhet me aksesin në infrastrukturën e ndërtesave. Projektligji synon t’i japë fund praktikave kufizuese nga ndërtues apo administratorë që pengonin hyrjen e operatorëve të ndryshëm.

Sipas draftit, çdo ndërtim i ri duhet të pajiset brenda dy viteve me një “Pikë Aksesi” për rrjetet me kapacitet shumë të lartë (VHCN). Gjithashtu, parashikohet vendosja e etiketës vullnetare “Fiber-ready” për ndërtesat që përmbushin standardet, një element që mund të ndikojë edhe në rritjen e vlerës së pronës.

Në relacionin e firmosur nga ministri Enea Karakaçi theksohet se çdo operator do të ketë të drejtën të ndërtojë rrjetin e tij deri në pikën e aksesit në ndërtesë, duke garantuar konkurrencë të lirë dhe më shumë zgjedhje për qytetarët.

Kosto më të ulëta dhe koordinim i detyrueshëm

Projektligji parashikon edhe ndarjen e detyrueshme të infrastrukturës fizike mes operatorëve publikë dhe privatë, përfshirë sektorët e rrugëve, ujësjellësve dhe energjisë. Kjo do të mundësojë që, gjatë ndërhyrjeve në terren, të koordinohet vendosja e rrjeteve të ndryshme në të njëjtin kanal, duke shmangur hapjet e përsëritura të rrugëve dhe duke ulur ndjeshëm kostot.

Për menaxhimin e këtij procesi, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare do të krijojë një “Sistem të Përqendruar të Informacionit”, ku operatorët do të kenë akses mbi rrjetet ekzistuese dhe projektet e planifikuara. Pjesë e integrimit evropian

Nisma konsiderohet një hap i domosdoshëm në kuadër të procesit të integrimit në BE, veçanërisht për Kapitullin 10, që lidhet me shoqërinë e informacionit dhe median. Ajo është gjithashtu pjesë e angazhimeve të qeverisë në “Agjendën Kombëtare të Reformave 2024–2027”.

Projektligji është aktualisht në fazë konsultimi publik për 20 ditë pune. Nëse miratohet, ai pritet të shënojë fundin e kabllove ajrore dhe të vendosura në mënyrë të çrregullt në fasadat e ndërtesave, duke hapur një epokë të re ku interneti me shpejtësi të lartë trajtohet si një shërbim bazë jetik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit