Transmetuar më 19-04-2026, 16:19

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për arritjen e një konsensusi mes forcave politike për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, duke theksuar se vendi duhet të shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Gjatë një deklarate për mediat, ajo u shpreh se kjo javë është vendimtare dhe se ekziston mundësia që marrëveshja të arrihet nëse ka vullnet politik.

Haxhiu theksoi se nuk është në përgjegjësinë e saj të thërrasë partitë në tryezë, duke shtuar se ftesat po bëhen nga kryeministri Albin Kurti, në cilësinë e liderit të partisë në pushtet.

Ajo u bëri thirrje partive që t’u përgjigjen pozitivisht këtyre ftesave, duke theksuar se dialogu është i domosdoshëm për të arritur një marrëveshje për presidentin ose presidenten e ardhshme.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit varet edhe nga qëndrimi i opozitës, duke paralajmëruar mundësinë e zgjedhjeve të reja në mungesë të dakordësisë.

Procesi mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme në Kuvend, ndërsa afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit është 28 prilli. Në të kundërt, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit