Transmetuar më 19-04-2026, 10:45

Një qarkore e re për emigracionin në Greqi ka ngritur shqetësime në komunitetin shqiptar, pasi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rinovimin e lejeve të qëndrimit për mijëra persona.

Në një intervistë televizive, eksperti i emigracionit Etmond Guri u shpreh se kjo qarkore vjen në vijim të ndryshimeve ligjore të vitit 2026 dhe synon përshpejtimin e procedurave vetëm për emigrantët me dokumentacion të rregullt.

“Risia qëndron te lehtësimi i procedurave për kategoritë e sigurta, por nuk ofron asnjë zgjidhje për ata që janë pa dokumente,” theksoi ai.

Sipas Gurit, deri në vitin 2025 legjislacioni grek kishte një qasje më fleksibël, duke lejuar aplikime për leje qëndrimi edhe për persona që kishin vite të tëra në vend. Pas këtij viti, është vënë re një ashpërsim i ndjeshëm i politikave, veçanërisht ndaj emigracionit të parregullt.

Në korrik dhe gusht 2025, autoritetet greke miratuan dy ligje që synojnë frenimin e emigracionit të paligjshëm. Sipas këtyre masave, çdo person pa dokumente të rregullta, nëse ndalohet, dërgohet fillimisht në qendra ndalimi dhe më pas përballet me sanksione që variojnë nga gjoba deri në burgim 1–2 vjet. Deportimi shoqërohet me ndalim hyrjeje në Bashkimi Evropian për një periudhë nga 5 deri në 10 vjet.

Një tjetër element i diskutuar është fakti se edhe në rastet kur vendimi ankimohet, deportimi mund të ekzekutohet menjëherë, ndërsa shqyrtimi i apelimit vijon më pas.

Qarkorja e re prek veçanërisht emigrantët që kanë humbur lejen e qëndrimit gjatë vitit të kaluar, ndërsa nuk parashikon mundësi të reja për rikuperimin e statusit për kategori të tjera në vështirësi.

Reagimet nga diaspora shqiptare kanë qenë të shumta, me shqetësime për kostot e larta të proceseve gjyqësore dhe pasigurinë ligjore.

Aktualisht, në Greqi jetojnë rreth 500 mijë emigrantë të ligjshëm, nga të cilët rreth 140 mijë janë shqiptarë me leje qëndrimi. Ndërkohë, vlerësohet se 70–80 mijë shqiptarë e kanë humbur këtë status, një shifër që mbetet shqetësuese pavarësisht trendit në rënie.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit