

SHKODËR – Një rast prostitucioni është goditur nga policia në Shkodër, ku janë arrestuar 5 persona, mes tyre 3 shtetase kolumbiane.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni i koduar “Rent Home 3” çoi në zbulimin e një apartamenti në lagjen 3 Heronjtë, i përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.
Në pranga u vunë shtetaset kolumbiane A.M., 48 vjeçe, P.B., 32 vjeçe dhe D.R., 27 vjeçe, të cilat dyshohet se kishin marrë me qira ambientin dhe e përdornin për këtë aktivitet. Gjithashtu u arrestuan edhe shtetasit F.V., 28 vjeç, banues në Vermosh, dhe K.G., 24 vjeç, banues në Bajzë, të dyshuar për përfshirje në prostitucion.
Gjatë operacionit u sekuestruan një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti i paligjshëm, si dhe 6 telefona celularë.
Gjithashtu, materialet iu referuan Prokurorisë, ku nisi procedimi penal ndaj një shtetaseje 27-vjeçare për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër / Finalizohet operacioni policor i koduar “Rent Home 3”, goditet një tjetër rast i prostitucionit. Vihen në pranga 3 shtetase kolumbiane, që ushtronin prostitucion në dy apartamente që i kishin marrë me qira. Vihen në pranga edhe 2 shtetas për prostitucion, si dhe procedohet penalisht shtetasja që ua kishte dhënë me qira apartamentet.
Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, si dhe 6 telefona celularë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Rent Home 3”.
Si rezultat i këtij operacioni, u zbulua një apartament në lagjen “3 Heronjtë”, ku ushtrohej prostitucion. Në kuadër të operacionit u arrestuan 5 shtetas, të kapur në ambientet e apartamentit, konkretisht: shtetaset kolumbiane A. M., 48 vjeçe, P. B., 32 vjeçe dhe D. R., 27 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira apartamentin dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit; -F. V., 28 vjeç, banues në fshatin Vermosh, dhe K. G., 24 vjeç, banues në Bajzë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen D. D., 27 vjeçe, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”. Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






