

TIRANË – Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia në kuadër të hetimeve për aktivitetet e paligjshme të disa call center-ave në kryeqytet.
Shtetasi David Prendi u vu në pranga pas një urdhri ndalimi të lëshuar nga SPAK, pasi dyshohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Sipas autoriteteve, ai akuzohet për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Arrestimi lidhet me hetimet për një call center të zbuluar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në ambientet e Atti Tower në Tiranë, ku dyshohet se kryheshin mashtrime online ndaj shtetasve të huaj.
Policia bëri të ditur se ndalimi i 28-vjeçarit është kryer nga specialistët për hetimin e krimeve kibernetike, në zbatim të urdhrit të prokurorisë.
Ky arrestim vjen në vijim të një operacioni të zhvilluar në janar të këtij viti nga SPAK, në bashkëpunim me autoritetet italiane, ku u godit një rrjet i gjerë call center-ash që operonin në Tiranë.
Hetimet dyshojnë se i riu ka lidhje me një grup të organizuar, i cili mendohet të drejtohet nga tre vëllezër nga Tropoja, Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, të shpallur në kërkim si organizatorë të një prej rrjeteve më të mëdha të call center-ave në vend.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






