

Një ngjarje e rëndë ka tronditur provincën e Asti, pranë Torino, ku një 59-vjeçar me origjinë shqiptare dyshohet se ka vrarë me kosore ish-gruan dhe partnerin e saj të ri, përpara se t’i japë fund jetës.
Sipas informacioneve hetimore, i dyshuari Astrit Koni dhe ish-bashkëshortja e tij Drita Koni (Meçollari) kishin jetuar prej rreth 20 vitesh në Itali. Viktima tjetër dyshohet të jetë partneri i saj i ri, Bardhok Gega.
Ngjarja dyshohet të ketë nisur nga konflikte personale dhe xhelozia, pasi gruaja kishte refuzuar përpjekjet e ish-bashkëshortit për t’u rikthyer së bashku dhe kishte nisur një lidhje të re.
Sipas hetuesve, viktimat janë gjetur të pajetë në një kanal pranë një zone rurale, ku po punonin në afërsi të koshereve të bletëve.

Më pas, autori dyshohet se është ngjitur në Castello di Cossombrato, ku punonte si kopshtar dhe kishte akses në ambientet e tij. Sipas dëshmitarëve, ai është hedhur nga një dritare e godinës rreth orës 15:00, duke gjetur vdekjen në vend.
Arturo – siç e thërrisnin të gjithë që kur kishte mbërritur në Itali nga Shqipëria 20 vite më parë – me profesion kopshtar, kishte hapur portën e ndërtesës me çelësat që përdorte zakonisht për punën në kopsht dhe, pasi kishte arritur në katin e fundit dhe kishte hapur një nga dritaret, ishte hedhur në tokë para syve të të pranishmëve.
Pak para ngjarjes, ai dyshohet se ka lënë një mesazh ku shprehej për një krizë të thellë personale dhe konflikte të zgjatura familjare.
Më ke shkatërruar jetën në këto 15 vite, por tani gjithçka ka mbaruar.” Ky ishte mesazhi i fundit që Astrit Koni shkroi para se t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga kulla e Castello di Cossombrato, një fshat i vogël me rreth 500 banorë në provincën e Astit.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie të trefishtë, ndërsa komuniteti lokal i vogël është tronditur nga ngjarja.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






