Transmetuar më 18-04-2026, 23:30

Një rast i pazakontë është regjistruar në qytetin e Krakov, ku autoritetet kanë zbuluar 148 pitonë mbretërorë të mbajtur në një pallat banimi, pas një ankese fillestare për praninë e një gjarpri në shkallët e ndërtesës.

Ngjarja nisi më 14 prill në zonën e Prądnik Biały, kur policia u njoftua për një gjarpër në një ndërtesë apartamentesh. Pas mbërritjes në vendngjarje, forcat e rendit konfirmuan praninë e zvarranikut, i cili u kap me ndihmën e zjarrfikësve dhe shërbimeve bashkiake, dhe u dërgua në një strehë të specializuar.

Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për një rast të izoluar, por hetimet zbuluan një situatë shumë më të gjerë: në një prej apartamenteve të pallatit mbaheshin 148 pitonë mbretërorë. Autoritetet po hetojnë mënyrën se si zvarranikët janë mbajtur dhe nëse janë respektuar rregullat ligjore për mirëqenien e kafshëve.

Sipas policisë, disa persona që kujdeseshin për kafshët janë marrë në pyetje dhe më pas janë liruar, ndërsa gjarpërinjtë janë sekuestruar dhe vendosur nën kujdesin e shërbimeve kompetente.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të ligjit për mbrojtjen e kafshëve. Në rast se konstatohen shkelje, të përfshirët mund të përballen me dënime që variojnë nga disa muaj deri në pesë vjet burg.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit