Transmetuar më 18-04-2026, 20:50

NGA AURON TARE

Kur Ahmet Zogu ende s’kishte kaluar kufirin, “baballarët e kombit”, ajka e shqiptarisë dhe e patriotizmit siç pëlqenin ta quanin veten, vrapuan drejt Romës për t’i dorëzuar kurorën e Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbretit shtatshkurtër të Italisë, Victor Emmanuel III.

Këta zotërinj, që për pesëmbëdhjetë vjet në Parlamentin e Shqipërisë, atje ku zhurma merret shpesh për mendim dhe debati për përparim, qenë munduar me zell të rrallë të lartësonin Zogun, qenë edhe të parët që mbërritën në Romë. Me një nuhatje të hollë cilësi që nuk u mungon kurrë oborrtarëve, kuptuan se Zogu s’do të kthehej më dhe se, bashkë me të, po merrnin arratinë edhe privilegjet. Miqtë më të afërt të mbretit nisën të mendojnë jo për fatin e vendit, por për fatin e rrogave të tyre. E ku mund të gjendej strehë më e sigurt se në Romë?

Fotografitë e kohës na i paraqesin këta “baballarë” të veshur bukur, alla frënga, me frak, me kapelë Borsalino dhe me bastun në dorë. Duken si të dalë nga një botë tjetër. Në kontrast me popullin, i cili vishej thjesht e varfërisht, ata binin menjëherë në sy me atë pamje të rregullt e të lustruar “europiane”. Por sa europianë qenë në shpirt këta zotërinj, këtë e tregon më mirë Galeazzo Ciano, dhëndri i Benito Mussolini, njohës i mirë i shqiptarëve.

“Gli albanesi si sono comportati bene durante la cena, ma alla fine hanno messo in tasca le posate d’argento.”

“Shqiptarët u sollën mirë gjatë darkës, por në fund disa prej tyre futën në xhepa lugët e argjendta.”

Ditari i Ministrit të Jashtëm të Italisë, Galeazzo Ciano.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit