Transmetuar më 18-04-2026, 19:52

Java e 32-të e Superiores ka nisur me rezultate surprizë, duke sjellë lëvizje të rëndësishme në renditje dhe duke rritur garën në javët e fundit të sezonit.

Kryesuesja Vllaznia nuk arriti të marrë më shumë se një barazim 0-0 në transfertë ndaj Vora. Ndeshja u karakterizua nga ritëm i lartë dhe raste të shumta për të dyja skuadrat, por pa konkretizim. Vendasit u shfaqën më kërkues në pjesën e parë dhe madje gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 35-të me Felipe, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Në pjesën e dytë, edhe Vllaznia pa një gol të anuluar për të njëjtën arsye, ndërsa në minutën e 83-të, Çelikoviç iu afrua shumë golit të fitores, por goditja e tij u ndal nga traversa. Pas këtij barazimi, Vllaznia kryeson me 60 pikë, ndërsa Vora renditet në vendin e shtatë me 32 pikë.

Në takimin tjetër, Flamurtari arriti një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur 0-2 Egnatia. Vlonjatët kaluan në avantazh që në minutat e para pas një autogoli të Jaime, ndërsa situata për vendasit u komplikua në fund të pjesës së parë, kur Xhemajli u ndëshkua me karton të kuq.

Duke shfrytëzuar epërsinë numerike, Flamurtari vulosi fitoren në minutën e 53-të me golin e Ememe. Me këtë sukses, Flamurtari ngjitet në kuotën e 29 pikëve, duke mbetur në vendin e fundit, por duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë. Nga ana tjetër, Egnatia mbetet në vendin e tretë me 54 pikë, duke humbur terren në garën për kreun.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit