

Athinë, 18 prill 2026 – Policia greke ka goditur një grup të dyshuar të trafikut të drogës, i përbërë nga dy të rinj, të cilët dyshohet se vepronin nën urdhrat e një figure të burgosur të krimit të organizuar shqiptar.
Sipas autoriteteve, operacioni është zhvilluar në zonën e Agios Panteleimonas, ku janë arrestuar një 22-vjeçar shqiptar dhe një 19-vjeçar. Të dy dyshohen për përfshirje në shpërndarje të lëndëve narkotike dhe për veprim në kuadër të një rrjeti kriminal të organizuar.
Gjatë kontrollit fizik, policia ka sekuestruar 61 pako kanabis me peshë totale rreth 89 gramë, si dhe 520 euro në para të gatshme. Më pas, në kontrollin e banesës së 22-vjeçarit, janë gjetur edhe 92 gramë kanabis shtesë, dy peshore elektronike, pako plastike për paketim, si dhe mjete të dyshuara si armë të ftohta.
Autoritetet greke dyshojnë se grupi vepronte nën udhëzimet e një drejtuesi të burgosur të krimit të organizuar shqiptar, i cili sipas hetimeve ka qenë i përfshirë më herët në ngjarje të rënda kriminale dhe dyshohet se vijon aktivitetin nga burgu përmes komunikimeve të paligjshme.
Po ashtu, hetimet e zgjeruara e lidhin këtë figurë edhe me një rast të veçantë zhvatjeje në zonën e Selanikut, ku sipas policisë janë arrestuar katër persona pas një operacioni të organizuar nga autoritetet.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë greke, rasti i zhvatjes përfshinte kërcënime ndaj një biznesmeni dhe kërkesa për shuma të konsiderueshme parash, ndërsa një operacion i koordinuar çoi në arrestimin e të dyshuarve dhe sekuestrimin e armëve, telefonave celularë dhe shumave të parave.
Të arrestuarit janë dërguar për procedurat e mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të rrjetit kriminal dhe rolit të secilit prej të përfshirëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






