Transmetuar më 18-04-2026, 16:49

Gjirokastër, 18 prill 2026 – Bashkia e Gjirokastrës ka reaguar zyrtarisht pas përhapjes në rrjetet sociale të një lajmi që pretendonte se kryetari i bashkisë dhe 18 punonjës të institucionit rezultonin të infektuar me HIV/AIDS.

Në reagimin për mediat, institucioni i cilësoi këto pretendime si të pavërteta, të fabrikuara dhe me qëllim krijimin e panikut në opinionin publik, duke theksuar se nuk ekziston asnjë rast i tillë dhe se informacionet e shpërndara janë tërësisht të rreme.

Bashkia e Gjirokastrës e konsideron përhapjen e këtyre lajmeve si një akt dezinformimi që cenon dinjitetin e punonjësve dhe dëmton reputacionin e institucionit, si dhe synon të krijojë pasiguri te qytetarët.

Në deklaratë theksohet se përhapja e informacioneve të rreme që shkaktojnë panik përbën vepër penale sipas nenit 267 të Kodit Penal dhe dënohet me gjobë ose burg deri në pesë vite. Për këtë arsye, bashkia paralajmëron ndjekje të të gjitha rrugëve ligjore për mbrojtjen e institucionit dhe punonjësve të saj.

Institucioni i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të nisin hetimet për identifikimin e autorëve të përhapjes së këtij lajmi të rremë. Po ashtu, u është bërë apel qytetarëve dhe mediave që të tregojnë kujdes dhe të verifikojnë informacionet përpara publikimit të tyre.

Reagimi i plotë i Bashkisë Gjirokastër

Bashkia Gjirokastër dënon me forcën më të madhe përhapjen në rrjetet sociale dhe në çdo formë tjetër publike të informatave dhe pretendimeve të rreme, të fabrikuara dhe alarmuese, të cilat kanë për qëllim të qartë krijimin e një gjendjeje pasigurie dhe paniku te qytetarët. Pretendimet e shpërndara së fundmi, sipas të cilave Kryetari i Bashkisë dhe 18 punonjës të këtij institucioni rezultojnë të infektuar me virusin HIV/AIDS, janë tërësisht të pavërteta, të sajuara dhe pa asnjë bazë faktike apo reale.

Bashkia Gjirokastër e konsideron këtë jo thjesht si një akt dezinformimi, por si një veprim të rëndë, të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm, i cili synon të dëmtojë figurën e institucionit, të cenojë dinjitetin dhe integritetin e punonjësve të administratës vendore, të godasë reputacionin e Kryetarit të Bashkisë dhe, mbi të gjitha, të përhapë panik dhe pasiguri te qytetarët. Përmbajtje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën për informim, por përfaqësojnë një përpjekje dashakeqe për të helmuar klimën publike me të pavërteta dhe për të krijuar shqetësim të pajustifikuar në komunitet.

Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, përbën vepër penale, të parashikuar shprehimisht nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon dënim me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Në këtë rast, është e qartë se qëllimi i këtyre pretendimeve të rreme nuk është thjesht përhapja e një të pavërtete, por krijimi i panikut te qytetarët, cenuarja e qetësisë publike dhe nxitja e pasigurisë në opinionin publik. Pikërisht ky element i qëllimit e bën këtë sjellje të lidhet drejtpërdrejt me parashikimin e nenit 267 të Kodit Penal.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit