

Tiranë, 18 prill 2026 – Një shtetase nga Filipina është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se për një periudhë rreth dyvjeçare ka vjedhur sende me vlerë të konsiderueshme nga banesa e një familjeje shqiptare në kompleksin “Ambasador 3” në kryeqytet.
Sipas burimeve hetimore, e dyshuara ishte e punësuar si sanitare me kohë të pjesshme në apartamentin e familjes, e cila nuk jetonte në mënyrë të përhershme në Shqipëri, por e frekuentonte herë pas here banesën.
Nga kallëzimi i bërë, rezulton se në banesë mungonin sende luksi me vlerë të lartë, përfshirë dy çanta Chanel me vlerë rreth 12 mijë euro, një çantë Hermès me vlerë rreth 46 mijë euro dhe një tjetër të së njëjtës markë me vlerë 6,600 euro. Po ashtu, janë raportuar të vjedhura bizhuteri të shtrenjta, si vathë me diamant 1 karat me vlerë rreth 10 mijë euro dhe një unazë me diamant 3.2 karat me vlerë rreth 15 mijë euro.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se në periudha të ndryshme janë marrë edhe shuma parash nga 100 deri në 500 euro, duke arritur në një total prej rreth 20 mijë eurosh.
Pas denoncimit, policia ka nisur hetimet dhe ka arritur në përfundimin se autorja e dyshuar ishte pikërisht punonjësja e shtëpisë. Sipas të dhënave, ajo kishte siguruar një kopje të çelësit të apartamentit dhe hynte në banesë në mungesë të pronarëve.
Gjatë kontrollit në banesën e saj, autoritetet kanë sekuestruar disa prej sendeve të vjedhura, përfshirë një medalion të markës Bulgari dhe një palë vathë Elisabetta Franchi. Megjithatë, pjesa më e madhe e sendeve të raportuara nuk është gjetur ende.
Nga hetimet ka rezultuar se e dyshuara ka kryer vjedhje edhe në banesa të tjera të të afërmve të familjes ku punonte. Gjithashtu, është zbuluar se gjatë një periudhe katërmujore ajo ka frekuentuar 171 herë një kazino në zonën e “Tajvanit” në Tiranë.
Shtetasja e huaj ka pranuar autorësinë e veprave penale gjatë marrjes në pyetje, duke deklaruar se sendet e vjedhura nuk i posedon më. Aktualisht, ajo ndodhet në paraburgim në institucionin e vuajtjes së dënimit për gratë në Pogradec.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të çështjes dhe gjetjen e sendeve të tjera të vjedhura.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






