Transmetuar më 18-04-2026, 14:54

A ka infektuar kryebashkiaku Flamur Golemi me SIDA 18 punonjës? Bashkia Gjirokastër doli sot me një deklaratë për media që u shpërnda dhe nga Flamur Golemi. Ajo thotë se pretendimet janë të rreme dhe se nuk ka bazë faktike.

Në deklaratë, Bashkia Gjirokastër dënon me forcën më të madhe përhapjen në rrjetet sociale dhe në çdo formë tjetër publike të informatave dhe pretendimeve të rreme, të fabrikuara dhe alarmuese.

Ajo thotë se të gjitha këto kanë për qëllim të qartë krijimin e një gjendjeje pasigurie dhe paniku te qytetarët dhe shton:

"Pretendimet e shpërndara së fundmi, sipas të cilave Kryetari i Bashkisë dhe 18 punonjës të këtij institucioni rezultojnë të infektuar me virusin HIV/AIDS, janë tërësisht të pavërteta, të sajuara dhe pa asnjë bazë faktike apo reale".

Bashkia Gjirokastër e konsideron këtë "jo thjesht si një akt dezinformimi, por si një veprim të rëndë, të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm, i cili synon të dëmtojë figurën e institucionit, të cenojë dinjitetin dhe integritetin e punonjësve të administratës vendore, të godasë reputacionin e Kryetarit të Bashkisë dhe, mbi të gjitha, të përhapë panik dhe pasiguri te qytetarët".

Për bashkinë e skajit jugor, "përmbajtje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën për informim, por përfaqësojnë një përpjekje dashakeqe për të helmuar klimën publike me të pavërteta dhe për të krijuar shqetësim të pajustifikuar në komunitet".

Në këtë pikë, ajo i tregon publikuesve se "përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, përbën vepër penale, të parashikuar shprehimisht nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon dënim me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet".

Për bashkinë që drejton Flamur Golemi, "në këtë rast, është e qartë se qëllimi i këtyre pretendimeve të rreme nuk është thjesht përhapja e një të pavërtete, por krijimi i panikut te qytetarët, cenuarja e qetësisë publike dhe nxitja e pasigurisë në opinionin publik".

"Pikërisht ky element i qëllimit e bën këtë sjellje të lidhet drejtpërdrejt me parashikimin e nenit 267 të Kodit Penal", thotë bashkia e Flamur Golemit.

Për këtë arsye, Bashkia Gjirokastër u bën thirrje të drejtpërdrejtë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të nisin pa vonesë verifikimet dhe hetimet përkatëse për identifikimin e autorëve, nxitësve, publikuesve dhe shpërndarësve të këtij informacioni të rremë dhe alarmues, si dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore çdo person të përfshirë në këtë veprim.

"Një sjellje e tillë nuk mund të trajtohet si një deklarim i zakonshëm në rrjetet sociale, por si një akt me pasoja të drejtpërdrejta për rendin publik, për besimin e qytetarëve dhe për funksionimin normal të jetës institucionale", thotë Bashkia Gjirokastër.

Dhe në fund të deklaratës së gjatë ajo kërkon edhe një herë të bindë njerëzit se Golemi nuk ka SIDA dhe as ka infektuar burra dhe gra punonjës të bashkisë duke theksuar se bashkia "garanton qytetarët se nuk ekziston asnjë situatë e tillë, siç pretendohet në mënyrë dashakeqe në këto publikime".

Bashkia thekson se "çdo informacion i shpërndarë në këtë drejtim është plotësisht i rremë dhe i ndërtuar me qëllim dëmtimin e figurës së institucionit dhe krijimin e alarmit të pabazuar në publik", ndërsa apelon: "Qytetarët duhet të jenë të sigurt se Bashkia Gjirokastër vijon normalisht ushtrimin e funksioneve të saj dhe si gjithmon në shërbim të qytetarëve".

E ndërsa i kërkohet policisë të hetojë, njëkohësisht, Bashkia Gjirokastër bën me dije se do të ndjekë me vendosmëri të plotë të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit të institucionit, të figurës së Kryetarit të Bashkisë dhe të dinjitetit të çdo punonjësi të saj, duke kërkuar marrjen e masave ligjore ndaj autorëve të këtij materiali të rremë dhe alarmues.

Bashkia Gjirokastër u bën gjithashtu thirrje qytetarëve, mediave dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të tregojnë përgjegjësi, të verifikojnë burimet e informacionit dhe të mos bëhen pjesë e shpërndarjes së përmbajtjeve të pavërteta që synojnë të krijojnë panik.

"Ruajtja e qetësisë publike, e përgjegjshmërisë qytetare dhe e komunikimit të bazuar në të vërtetën është një detyrim i përbashkët i çdo qytetari dhe i çdo institucioni", thotë bashkia e drejtuar nga Flamur Golemi. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit