

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se administrata e tij ka identifikuar dokumente “interesante” gjatë një shqyrtimi të të dhënave qeveritare mbi objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO), duke njoftuar se publikimet e para do të bëhen së shpejti.
Gjatë një eventi të organizuar nga Turning Point USA në Phoenix, Trump u shpreh se këto materiale do t’i mundësojnë publikut të vlerësojë vetë nëse fenomenet e raportuara kanë bazë reale.
“Ne gjetëm shumë dokumente shumë interesante, duhet të them, dhe publikimet e para do të fillojnë shumë, shumë shpejt, që të mund të dilni dhe të shihni nëse ai fenomen është i saktë,” tha Trump para një grupi mbështetësish në një aktivitet të organizuar nga grupi konservator Turning Point USA.
Media amerikane thotë se publikimet priten më 8 korrik 2026.
Në muajin shkurt, Trump urdhëroi agjencitë federale të fillojnë procesin e deklasifikimit të të dhënave që lidhen me UFO-t dhe mundësinë e jetës jashtëtokësore, duke theksuar interesin e lartë publik për këtë çështje.
Ky vendim erdhi pas kritikave të tij ndaj ish-presidentit Barack Obama, lidhur me komentet e këtij të fundit në një podcast mbi ekzistencën e mundshme të jetës jashtëtokësore dhe menaxhimin e informacionit të klasifikuar.
Vitet e fundit, Pentagoni ka hetuar raportet për UFO, dhe drejtues të lartë ushtarakë thanë në vitin 2022 se nuk gjetën asnjë provë që të sugjerojë se alienët kanë vizituar Tokën apo janë rrëzuar këtu.
Një raport i Pentagonit në vitin 2024 tha se hetimet e qeverisë amerikane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk kanë gjetur asnjë provë për teknologji jashtëtokësore dhe se shumica e vëzhgimeve ishin objekte dhe fenomene të zakonshme të keqidentifikuara.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






