Transmetuar më 17-04-2026, 22:34

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se protesta e radhës e opozitës do të caktohet shumë shpejt, duke theksuar se, sipas tij, aksioni opozitar do të vijojë në mënyrë të pandërprerë.

Në një prononcim për mediat në Tiranë, ai u shpreh se opozita do të përdorë të gjitha format e protestës me qëllim largimin nga pushteti të kryeministrit Edi Rama.

Berisha deklaroi se protesta e radhës nuk ka lidhje me proceset e brendshme të Partisë Demokratike të Shqipërisë, por sipas tij lidhet vetëm me kundërshtimin ndaj qeverisë.

Ai e cilësoi aksionin opozitar si “kryengritje paqësore”, duke shtuar se kjo nismë, sipas tij, nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë deri në ndryshimin e pushtetit.

Berisha theksoi gjithashtu se opozita synon të bashkëpunojë me grupe të tjera politike dhe shoqërore për të rritur presionin ndaj qeverisë, ndërsa paralajmëroi se protesta e ardhshme do të jetë, sipas tij, më e fuqishme se ato të mëparshmet.

Autoritetet nuk kanë reaguar ende lidhur me deklaratat e bëra.

Pyetje: Si do të vijojë protesta juaj?

Sali Berisha: Patjetër, shumë shpejt. Do të caktohet shumë shpejt, nuk tërhiqemi ne. Kryengritja jonë paqësore nuk njeh të zmbrapsur.

Pyetje: Do të ketë ndryshim në strategji apo pason zgjedhjet tuaja si kryetar i PD-së?

Sali Berisha: Të gjitha, të gjitha format e protestave do përdoren. Këto janë protestat, janë, kjo është kryengritje paqësore që ka si mision përmbysjen e narko-regjimit të Edi Ramës. Ky mision është misioni i Partisë Demokratike, por edhe i forcave të tjera politike opozitare, i shoqërisë civile, i grupeve të tjera të interesit, të cilat, për të cilat do bëjmë gjithçka të bashkohemi në një front të përbashkët për t’i dhënë shtytjen përfundimtare këtij regjimi. Por një gjë është e sigurtë, që ne nuk ka, kjo kryengritje nuk ka të ndalur. E shtata apo e teta me radhë, e panjohur më parë në Shqipëri, kjo është bërë, ka një mbështetje sa shqiptare, aq dhe botërore.

Pyetje: Zoti Berisha, nuk më dhatë një përgjigje. Protesta e radhës do të jetë para apo pas 23 majit?

Sali Berisha: Nuk kanë asnjë lidhje këto, kanë lidhje me regjimin. Nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me proceset e brendshme të partisë. Përkundrazi, është, ju jeni dëshmitarë që disa muaj më parë unë deklarova që Partia Demokratike do të hidhet në një veprimtari shumëplanshe. Shumëplanshe. Pra, ne tani vërtet jemi në procese të brendshme, analiza dhe zgjedhje në të gjitha degët, por kjo nuk mund ta pengojë ne të mbajmë kryengritjen paqësore si shpresë e madhe e shqiptarëve. Ndaj dhe, rrofshi ju! Lere e tmerruat sot regjimin. E tmerruat. I patë ç’fytyra kishin. Kriminelë, kriminelë dhe vetëm kriminelë mund të quhen. Protesta tjetër më e fuqishme do jetë. Protesta tjetër më tmerr për regjimin do jetë. Atëherë, natën e mirë dhe mirupafshim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit