

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ashpër gjatë protestës së opozitës përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar forcën politike që drejton si “shpresën e vetme” për Shqipërinë.
Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërtimin e një “narkoshteti”, që sipas tij bazohet në krim, trafik droge dhe korrupsion.
“Sot ne mblidhemi këtu jo vetëm si një alternativë politike, por si shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë,” u shpreh ai, duke theksuar se opozita përfaqëson një alternativë të qëndrueshme për ndryshim.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit në tubimet e mëparshme, duke deklaruar se opozita ka treguar qëndrueshmëri përballë, sipas tij, “një regjimi represiv”.
Ai komentoi gjithashtu pjesëmarrjen e ulët në një protestë të organizuar nga shoqëria civile kundër rritjes së çmimit të naftës, duke e lidhur këtë me klimën e frikës në vend. Sipas tij, qytetarët ndihen të kërcënuar për vendet e punës dhe jetesën, çka i pengon të reagojnë publikisht.
Berisha akuzoi qeverinë për ushtrim presioni ndaj administratës dhe qytetarëve, duke përmendur edhe sistemin e patronazhistëve dhe ndjekjen e qytetarëve për detyrime të papaguara.
Në përfundim, ai theksoi se Partia Demokratike e Shqipërisë mbetet, sipas tij, forca e vetme që përfaqëson rezistencën dhe idealet demokratike në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






