Transmetuar më 17-04-2026, 17:52

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dërgimin e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Rripin e Gazës, në kuadër të një force ndërkombëtare stabilizuese.

Vendimi u miratua të premten me 89 vota pro, pa vota kundër dhe pa abstenime, duke tejkaluar shumicën e kërkuar prej dy të tretash.

Sipas procedurës, vendimi duhet të dekretohet nga ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për të hyrë në fuqi.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se ky hap forcon profilin ndërkombëtar të Kosovës dhe dëshmon gatishmërinë e vendit për të kontribuar në misione paqeruajtëse globale.

Ai theksoi se Kosova do të veprojë në koordinim me aleatët ndërkombëtarë dhe në mbështetje të stabilitetit dhe mbrojtjes së civilëve në zonat e konfliktit.

Dërgimi i FSK-së parashikohet të realizohet në kuadër të një Force Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila lidhet me një nismë më të gjerë ndërkombëtare për paqe, të njohur si “Bordi i Paqes”, e mbështetur nga ish-presidenti amerikan Donald Trump.

Sipas planit, Kosova është ndër pesë shtetet e para që janë zotuar për pjesëmarrje, së bashku me Indonezia, Maroku, Kazakistani dhe Shqipëria.

Fillimisht parashikohet dërgimi i mbi 20 pjesëtarëve të FSK-së, të specializuar në fusha si deminimi, operacionet speciale dhe mbështetja mjekësore, ndërsa misioni pritet të nisë aktivitetin në terren në muajt në vijim, sipas burimeve ndërkombëtare.

Ky do të jetë një nga angazhimet më të rëndësishme ndërkombëtare të FSK-së, e cila më herët ka marrë pjesë në misione jashtë vendit, përfshirë në Kuvajt dhe Ishujt Falkland.

Autoritetet në Prishtinë theksojnë se pjesëmarrja në misione të tilla është pjesë e procesit të transformimit të FSK-së në ushtri të plotë, proces që pritet të përfundojë deri në vitin 2028.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit