

Zëvendëskryeministri kinez Ding Xuexiang tha sot se Kina është e gatshme që, bazuar në parimin e përfitimeve të ndërsjella, të zgjerojë vazhdimisht hapësirën për bashkëpunim me Turkmenistanin dhe të punojë së bashku për zhvillim dhe begati.
Ding, i tha këto gjatë takimit me presidentin e Turkmenistanit Serdar Berdimuhamedov, në kryeqytetin e këtij vendi, Ashgabat.
Marrëdhëniet Kinë-Turkmenistan janë të rrënjosura në një histori shkëmbimesh miqësore që shtrihen mbi 2 000 vjet, dhe mbështetja e ndërsjellë është thelbi kryesor i partneritetit të gjithanshëm strategjik midis dy vendeve, vuri në dukje Ding.
Sipas tij, Kina do ta mbështesë gjithmonë Turkmenistanin në mbrojtjen e pavarësisë kombëtare, sovranitetit e integritetit territorial, si dhe në ndjekjen e një politike neutraliteti të përhershëm, duke mbetur një partnere e besueshme për Turkmenistanin.
Ndërsa presidenti turkmenistanas Serdar Berdimuhamedov theksoi që Turkmenistani e vlerëson shumë partneritetin e gjithanshëm strategjik me Kinën, dhe është i gatshëm të punojë për të zbatuar në mënyrë aktive konsensusin e arritur nga të dyja palët.
Ai tha se Turkmenistani do të vijojë t’i japë përparësi bashkëpunimit në sektorin e gazit natyror dhe të forcojë bashkëpunimin praktik në infrastrukturë, teknologjinë e lartë, bujqësi, shkëmbimet njerëzore e kulturore, siguri e fusha të tjera, për t’i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






