Transmetuar më 17-04-2026, 16:13

Dy shtetas shqiptarë janë dënuar nga drejtësia italiane për një grabitje të rëndë të ndodhur në Trento, ndërsa një i tretë pritet të dalë para gjykatës në muajin korrik si i dyshuar për organizimin e krimit.

Sipas mediave italiane, Klodjan Cesku, 31 vjeç, dhe Arsild Memaj, 21 vjeç, kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me 4 vite e 3 muaj burg, si dhe me nga 1,200 euro gjobë.

Ndërkohë, Marjan Ndrekaj, 44 vjeç, do të përballet me drejtësinë si i dyshuar për drejtimin e grupit kriminal, pasi gjykata rrëzoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar dhe caktoi seancën për muajin korrik.

Të tre akuzohen për grabitje në bashkëpunim me rrethana rënduese.

Ngjarja ka ndodhur natën mes 7 dhe 8 tetorit 2025, kur katër persona hynë në vilën e biznesmenit 72-vjeçar, Eugenio Gallizioli, duke e kërcënuar me armë dhe duke e mbajtur peng për rreth katër orë.

Sipas hetimeve, viktima refuzoi të tregonte kodin e kasafortës, çka i detyroi autorët të përdorin mjete prerëse për ta hapur dhe për të marrë rreth 300 mijë euro.

Autorët u identifikuan përmes kamerave të sigurisë dhe përgjimeve, ndërsa tre prej tyre u arrestuan disa javë më vonë në zona të ndryshme të Italisë. Një person i katërt vijon të jetë në kërkim.

Biznesmeni është paraqitur si palë civile në proces dhe ka kërkuar 400 mijë euro dëmshpërblim për dëmet materiale dhe morale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit