

Seanca e radhës për vrasjen e Liridona Ademaj është zhvilluar në Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku organi i akuzës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë paraqitjes së saj, prokurorja Javorka Perlinqeviq deklaroi se Murseli, bashkëshorti i viktimës, ka organizuar vrasjen për përfitime financiare dhe morale, duke simuluar një grabitje ku Liridona Ademaj u trajtua si “dëm kolateral”.
Sipas aktakuzës, Granit Plava dyshohet se ka kryer vrasjen, ndërsa Kushtrim Kokalla ka shërbyer si lidhje mes autorit dhe porositësit.
Një nga momentet më tronditëse të seancës ishte referimi i dëshmisë së djalit të madh të viktimës, dhënë më herët në prani të një psikologeje gjatë një vizite në Suedi. Sipas prokurores, ai ka përshkruar ngjarjen me fjalët: “Hajni i futi dorën dhe ia bëri mamit bam”.
Fëmijët kur ndodhi ngjarja ishin 4 dhe 6 vjeç kurse tani janë përkatësisht 7 dhe 9 vjeç.
Vrasja e Liridona Ademajt ndodhi më 29 nëntor 2023, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, ku ajo humbi jetën në moshën 30-vjeçare.
Sipas aktakuzës, ngjarja ishte e planifikuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se e organizoi krimin për motive hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro.
Prokuroria pretendon se Murseli ka bashkëpunuar me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shumë prej 30 mijë eurosh për realizimin e vrasjes.
Ngjarja shkaktoi reagim të fortë publik, sidomos pasi bashkëshorti i viktimës mori pjesë në ceremoninë mortore. Më pas, familja e Liridonës kërkoi zhvarrosjen e trupit për ta rivarrosur në varrezat familjare Ademaj.
Sipas të dhënave, që nga viti 2010 në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra, shumica prej tyre nga bashkëshortët. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar vazhdimisht sistemin e drejtësisë për dënime të lehta, duke theksuar se kjo mund të ndikojë në rritjen e rasteve të tilla.
Në seancë ka dëshmuar edhe vëllai i viktimës, i cili ka akuzuar drejtpërdrejt Murselin si organizator të krimit, në bashkëpunim me Kokallën dhe me përfshirjen e Plavës si autor ekzekutues.
Dëshmia me shkrim e fëmijëve që jetojnë në Suedi
Një nga momentet më prekëse të seancës ishte leximi i dëshmisë së fëmijëve të çiftit, të cilët pas ngjarjes ishin dërguar në Suedi.
Sipas dëshmisë së paraqitur, djali i madh kishte rrëfyer përjetimin e tij në prani të një psikologu. Gjatë një vizite në Suedi, ai kishte treguar me fjalë të thjeshta atë që kishte parë, duke thënë se një person iu afrua dhe goditi nënën e tij.
"Hajni e futi dorën dhe i bëri mamit bam", ka thënë djali më i madh.
Plani i vrasjes
Sipas aktakuzës, i gjithë plani për eliminimin e viktimës është organizuar nga bashkëshorti i saj, si pasojë e përkeqësimit të marrëdhënieve familjare dhe martesore, çka ka nxitur tek ai motive hakmarrjeje. Leonard Ademaj u shpreh se familja ka vendosur të besojë te drejtësia, pavarësisht situatës, dhe pret që gjykata të japë një vendim të drejtë.
Dëshmia e vëllait
Në seancë, fjalën përfundimtare po e paraqet Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, e cila u vra më 29 nëntor 2023 në Prishtinë, në një ngjarje që fillimisht u paraqit si grabitje.
Ai theksoi se familja ka zgjedhur të besojë te drejtësia dhe pret që gjykata të japë një vendim të drejtë, ndërsa shtoi se për ta është e qartë se organizatori i krimit është Murseli.
“Si familje, por edhe gjithë shqiptarët kudo që janë, e kanë të qartë se Naimi e ka organizuar këtë vrasje bashkë me Kushtrimin dhe kanë zgjedhur Granitin si ekzekutor. Duhet të japim një mesazh të fortë për këdo që guxon të ngrejë dorë ndaj nënave dhe motrave tona. Ky proces do të shihet edhe nga fëmijët e Liridonës, të cilët do të rriten me mungesën e saj, por edhe me kërkesën për drejtësi. Kur ta ndjekin këtë proces, duhet të kuptojnë se drejtësia për nënën e tyre është vendosur”, u shpreh ai.
Më tej, Leonard Ademaj theksoi se e vetmja mënyrë që familja të gjejë një lloj qetësimi është dënimi maksimal për të pandehurit.
“Na ka mbetur gjysma e jetës dhe është në dorën tuaj të vendosni nëse do të jetojmë me frikë apo të ndihemi të sigurt në vendin tonë. Kërkojmë dënim me burgim të përjetshëm. Çdo dënim tjetër do ta cenonte kujtimin e Liridonës, shoqërinë dhe ndërgjegjen e vendit për këtë krim. Vetëm dënimi i tyre mund të lehtësojë sadopak dhimbjen tonë”, përfundoi ai.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar dënimin maksimal – burgim të përjetshëm – për të tre të akuzuarit.
Vendimi përfundimtar pritet të shpallet më 21 prill, në orën 13:30.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






