Transmetuar më 17-04-2026, 14:01

Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim një efektiv të forcës speciale “Shqiponja”, i dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale dhe shfrytëzim të një të mituri për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Sipas organit të akuzës, bëhet fjalë për shtetasin B.D., ndaj të cilit rëndojnë akuzat për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shtytja e të miturit në krim”.

Hetimet disa mujore kanë zbuluar se polici ka përfituar nga kushtet e vështira ekonomike dhe familjare të një nxënësi të mitur, duke e përfshirë atë fillimisht si informator dhe më pas në shpërndarjen e drogës.

Sipas dosjes hetimore, i mituri E.H., i cili rezulton përdorues i lëndëve narkotike, është shfrytëzuar nga efektivi për qëllime kriminale, duke u përdorur si pjesë e aktivitetit të paligjshëm.

Prokuroria thekson se veprimet e të pandehurit janë kryer me dashje dhe përbëjnë shkelje të rëndë të detyrës, duke cenuar interesat e shtetit, sigurinë publike dhe mirëqenien e të miturit.

Çështja tashmë i është kaluar gjykatës për shqyrtim, ndërsa autoritetet kanë theksuar angazhimin për të ndëshkuar çdo shkelje ligjore, veçanërisht kur përfshihen punonjës të institucioneve të sigurisë.

Njoftimi:

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin B.D. i akuzuar për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Shtytja e të miturit në krim’, parashikuar nga nenet 283/1, 248 dhe 129, të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve, mbi proedimin penal nr. 380, viti 2024 u arrit të provohet se, punonjësi i policisë i Njësisë së Posaçme “Shqiponja” B.D., me qëllim shitjen e lëndës narkotike, ka bërë të gjitha veprimet për të rekrutuar nxënësin E.H., përdorues i lëndëve narkotike, me probleme familjare dhe në vështirësi ekonomike.

Duke njohur varësinë e këtij të fundit dhe duke përfituar nga cilësitë e tij si punonjës i shqiponjave, i pandehuri B.D. në fillim “e rekruton” të miturin për t’i dhënë informacione policore, por qëllimi kryesor ishte përdorimi i tij për shitjen e narkotikëve. Nga hetimi proaktiv i çështjes rezultoi se i pandehuri B.D. me veprime aktive, të kryera me dashje, ka kryer mospërmbushje të rregullt të detyrës duke cënuar interesat e shtetit, rendit publik dhe të miturit E.H.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të punonjësve të shërbimit publik që kryejnë vepra penale kundër rendit, sigurisë publike dhe fëmijëve”.,shkruhet në njoftim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit