Transmetuar më 17-04-2026, 13:16

Djali 26-vjeçar, ish-peshëngritës, ishte i pari nga tre të akuzuarit që u paraqit sot në mëngjes para gjykatës për të dhënë dëshmi lidhur me vdekjen e 19-vjeçares Myrto, e cila humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së martës (14.04.2026) në Argostoli të Kefalonisë në Greqi.

Ish-sportisti, i cili në të kaluarën ka qenë i përfshirë në çështje që kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve, që nga momenti i arrestimit deri në paraqitjen e sotme para hetuesit, nuk kishte bërë asnjë deklaratë.

Gjatë fazës paraprake të hetimit, ai kishte thënë se do t’i shpjegonte të gjitha para autoriteteve gjyqësore, duke dhënë versionin e tij për ngjarjet që ndodhën si në dhomën e marrë me qira, ashtu edhe gjatë transportimit të vajzës drejt sheshit qendror të Argostolit.

Sipas informacioneve që citon media greke, në fillim të dëshmisë së tij ai deklaroi:

“Unë bleva lëndën narkotike dhe shkova në dhomën me qira për të bërë përdorim. Bëmë dy herë përdorim. Një herë në fillim, më pas u largova, mora sërish kokainë dhe u ktheva. Përdorimin e dytë e bëmë rreth orës katër të mëngjesit. Vajza u shtri në shtrat dhe filloi të kishte spazma. Mendova se kishte krizë epileptike.”

Më tej, sipas pretendimeve të tij, ai u përpoq ta ndihmonte, por pa rezultat:

“I futa dorën në gojë që të mos i kthehej gjuha. Kam shenja kafshimi në gishtat e mi. Kam kërkuar që të bëhet ekspertizë mjeko-ligjore. Njoftova shokun tim shqiptar që ishte rastësisht në dhomën ngjitur, në dhomën me numër 11, me një vajzë.”

26-vjeçari grek, i cili bashkë me 22-vjeçarin shqiptar dhe një tjetër grem 23-vjeçar akuzohen për vrasje me dashje të kryer me mosveprim, pretendoi gjithashtu se kishte njoftuar ambulancën përpara se ta çonin vajzën në shesh dhe të deklaronin – sipas asaj që ka rezultuar nga hetimet – se nuk e njihnin dhe se e kishin gjetur në rrugë.

“Gjithashtu njoftova ambulancën. Shqiptari shkonte përpara dhe hapte dyert, ndërsa unë e mbaja Myrton në krahë. E lashë mbi një mur të ulët dhe e mbulova me xhupin e saj, derisa erdhi ambulanca.”

Menjëherë pas përfundimit të dëshmisë së 26-vjeçarit, në sallën e gjyqit hyri 23-vjeçari, shoku i Myrtos, me të cilin vajza kishte shkuar pak pas mesnatës së të hënës në dhomën me qira në Argostoli.

Flet nëna e të riut shqiptar 

Sakaq, nëna e 22-vjeçarit shqiptar foli sot për newsit.gr, duke thënë se fëmija i saj nuk ka bërë asgjë dhe se e vërteta do të dalë së shpejti në dritë.

"Ai nuk kishte qenë kurrë i përfshirë me drogë", tha ajo dhe shtoi: "Djali im nuk është i përfshirë në asgjë. Ai thjesht doli për të ndihmuar, nuk e njihte, ishte me të dashurën e tij.

Ai as nuk e di se si përfundoi atje sportisti 26-vjeçar, i cili gjithashtu nuk ka faj. Ai shkoi të përshëndetej me djalin tjetër… 23-vjeçarin. Fëmijët nuk kanë kryer kurrë krim. Çdo gjë që thuhet është gënjeshtër", pohon nëna e tij, duke theksuar se djali i saj nuk ka qenë kurrë i përfshirë me drogë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit