Transmetuar më 17-04-2026, 12:29

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” për Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola, të arrestuar në kuadër të një operacioni të gjerë të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Tre të dyshuarit akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka trafikuar rreth 7.5 ton kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Evropës, në disa episode të dokumentuara.

Operacioni i SPAK ka goditur një rrjet të gjerë kriminal me shtrirje ndërkombëtare, ku përveç arrestimeve janë sekuestruar edhe pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.

Në kuadër të këtij hetimi janë lëshuar në total 11 masa sigurie, ndërsa disa persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe dyshohet se ndodhen jashtë vendit.

Vendimi i GJKKO-së për lënien në fuqi të masës “arrest në burg” vjen në një fazë të rëndësishme të hetimeve, teksa autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit