Transmetuar më 17-04-2026, 11:53

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Bilishtit, ku mësuesi Alban Bejleri ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak, teksa po kthehej për në banesë pas përfundimit të procesit mësimor në fshatin e largët Marjan, në bashkinë e Maliqit.

Bejleri ishte një mësues me përvojë të gjatë në arsim, me rreth tre dekada eksperiencë në këtë profesion.

Prej pesë vitesh ai ushtronte detyrën në një zonë të thellë, duke përballuar çdo ditë kushte të vështira për të zhvilluar mësimin për vetëm dy nxënës që kishin mbetur në shkollë.

Përkushtimi i tij shfaqej edhe në sakrificat e përditshme. Çdo ditë ai përshkonte në këmbë rreth 7 deri në 8 kilometra për të arritur në shkollë dhe po aq për t’u kthyer, ndërsa udhëtimi përfshinte fillimisht mbërritjen në zonën e Lozhanit dhe më pas ecjen në terren të vështirë drejt fshatit Marjan.

Familjarët e tij e përshkruajnë si një njeri të përkushtuar dhe të heshtur, që nuk ankohej kurrë për vështirësitë. Xhaxhai i tij, Besim Bejleri, shprehet se ai ishte ndër më të veçantët në familjen e tyre, ku numërohen 17 mësues, duke theksuar përkushtimin dhe karakterin e tij punëtor dhe besimtar. Sipas tyre, pas një periudhe jashtë sistemit arsimor, Albani ishte rikthyer në profesion, por ishte caktuar larg familjes, ndonëse kishte kërkuar të afrohej në zonën e Devollit.

Të afërmit bëjnë me dije se ai vuante nga diabeti, por nuk kishte shfaqur më parë probleme kardiake. Pavarësisht gjendjes shëndetësore, ai nuk u tërhoq asnjëherë nga detyra, duke vijuar punën me përkushtim deri në ditën e fundit të jetës.

Edhe kolegët e tij ndajnë të njëjtin vlerësim, duke e cilësuar si një mësues shembullor që përballej çdo ditë me sfida të mëdha, si infrastruktura e dobët, distanca dhe lodhja fizike.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga familjarët dhe të afërmit, të cilët shprehin dhimbje dhe indinjatë, duke ngritur akuza ndaj institucioneve për kushtet e punës në sistemin arsimor. Ata kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe vëmendje ndaj shëndetit dhe trajtimit të mësuesve, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Reagimi i bashkisë

Bashkia Devoll shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të mësuesit Alban Bejleri.

Humbja e tij është një dhimbje e madhe jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për gjithë komunitetin arsimor dhe qytetin tonë. Ai do të kujtohet si një mësues i përkushtuar, i palodhur dhe shembull frymëzimi për brezat që edukoi me përkushtim.

Në këto momente të vështira, jemi pranë familjes Bejleri dhe u shprehim mbështetjen tonë të plotë.

U prehtë në paqe.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit