Transmetuar më 17-04-2026, 10:54

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke deklaruar se është këshilluar të mos flasë më për zhvillimet brenda qeverisë dhe Partia Socialiste e Shqipërisë, por sipas saj, nuk do të heshtë përballë presioneve.

Në reagimin e saj, Spiropali shprehet se pavarësisht këshillave për të qëndruar e tërhequr, ajo nuk trembet dhe do të vijojë të mbajë qëndrimet e saj publike.

Ajo kritikon mënyrën e funksionimit të institucioneve, duke ngritur shqetësime për, siç i cilëson ajo, modele presioni, ndikimi dhe mungesë të llogaridhënies në administratën publike.

Sipas saj, vendimmarrja institucionale është zëvendësuar gradualisht nga mekanizma të mbyllur ndikimi, ndërsa paralajmëron se kjo situatë rrezikon të dëmtojë besimin e qytetarëve te shteti.

Spiropali thekson gjithashtu se struktura politike brenda Partia Socialiste e Shqipërisë po shfaq, sipas saj, shenja deformimi organizativ, ku administrimi politik po zëvendëson debatin dhe funksionimin e brendshëm demokratik.

Ajo nënvizon se kritikat e saj nuk janë personale, por lidhen me mënyrën e funksionimit të sistemit, duke shtuar se heshtja nuk është një opsion përballë problemeve që ajo ngre.

Në përfundim të reagimit, ish-ministrja thekson se nevojitet një reflektim dhe përmirësim i thellë institucional, në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në vend.

E PLOTË:

Po më këshillojnë të hesht. Me të njëjtën mënyrë që përdoret në këto raste: rri rehat, mos bëj zë, do të të vërsulen, nuk ia del dot.

E kuptoj këtë "këshillë". Është praktike. Madje edhe e mençur në një kuptim të ngushtë, mediokër, meskin. Por është pikërisht kjo lloj "mençurie" që ka ndërtuar klimën ku ndodhemi sot.

Problemi nuk është një individ, një konflikt, një mosvotim në Kuvend, apo një keqkuptim brenda pushtetit. Problemi është një model që është instaluar gradualisht dhe që sot funksionon pothuajse pa pengesa. Një model ku institucionet nuk janë më hapësira vendimmarrjeje, por instrumente presioni. Ku vendimet nuk merren bashkarisht, por veç. Ku ligji interpretohet sipas nevojës së momentit, dhe jo sipas parimit vizionar.

E kam parë nga afër këtë transformim. Nuk është diçka që ndodh me një vendim të vetëm. Ndodh me tolerime të vogla, me heshtje të arsyetuara, me ndërhyrje që fillimisht duken të padëmshme dhe më pas kthehen në të rëndësishme, deri vendimtare.

Vjen koha kur në një moment, institucionet fillojnë të funksionojnë si zgjatime të vullnetit të pak njerëzve. Disa ministri dhe agjensi shtetërore nuk reagojnë më ndaj ligjit dhe detyrës, por ndaj urdhrit. Nuk i përgjigjen procedurës, por klanit. Dhe në këtë pikë, çdo biznes, çdo media, çdo individ e kupton se nuk është më përballë një shteti, por përballë një makinerie të pashpirt që mund të përdoret kundër tij.

Nëse këto mekanizma përdoren edhe ndaj atyre që kanë mbrojtje publike, me detyra të larta shtetërore, çfarë ndodh me ata që nuk kanë asnjë zë?

Kur struktura shtetërore të emëruara, të promovuara dhe të kontrolluara nga e njëjta dorë, tashmë jo formale, të paraprira nga portale të paguara me para të errëta, fillojnë të sulmojnë në mënyrë brutale deri edhe familjarë, në punë të tyre, atëherë kuptohet qartë se kufijtë janë tejkaluar, dhe se nuk bëhet më fjalë për politikë.

Nuk kam asgjë për të fshehur. Pikërisht për këtë arsye, këto sulme nuk më trembin. Përkundrazi, më bëjnë edhe më të qartë për atë që duhet thënë e duhet bërë.

Këtë model kam refuzuar dhe refuzoj. Ky është modeli që nuk duhet të jetë pjesë e Partisë Socialiste: Refuzimi i realitetit ku institucione publike me fytyrë personale përdoren si hanxharë për të frikësuar, dhe ku mbajtja e ndikimit nuk kërkon performancë, por kontroll. Ku pjesa e ndershme e administratës detyrohet të zbatojë deri urdhëra të paligjshëm për interesa dhe presione eprorësh të dhunshëm dhe fuqiplotë.

Dhe paralelisht me këtë, është ndërtuar një tjetër deformim i brendshëm. Një parti e gjallë, po zëvendësohet nga një strukturë fosile ku gjithçka filtrohet përmes emërimeve okulte. “Drejtorokracia” është kthyer në mënyrë funksionimi. Ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie.

Kjo nuk është ajo për të cilën është ndërtuar Partia Socialiste. Nuk është as modeli që i ka dhënë legjitimitet pushtetit të saj ndër vite.

Për këtë arsye, kjo nuk mund të trajtohet si një çështje personale. Nuk është një përplasje me dikë. Është një mospajtim me një mënyrë funksionimi që po bëhet normë.

Nuk kam frikë nga sulmet. Kam jetuar e jetoj ndër rreshtat e pavdekshëm lasgushianë; "Shpirtkatran që më qërtojnë, janë qën’ që s’më kafshojnë." Jo se jam e paprekshme, por sepse nëse do të kisha frikë, do ta kisha zgjedhur heshtjen shumë më herët. Heshtja është gjithmonë opsioni më i lehtë në këto situata.

Halli është se ky model nuk prodhon vetëm padrejtësi. Ai prodhon largim. Largon njerëzit nga politika, nga besimi, nga vetja, nga vendi. E bën jetën të vështirë, jo për shkak të mungesës së mundësive, por për shkak të kontrollit mbi to.

Dhe nëse kjo vazhdon, nuk do të kemi më një debat politik për mënyrën si qeveriset vendi, por një mungesë të vrazhdë, të shëmtuar dhe deformuese të llogaridhënies institucionale.

Për mua kjo nuk është një çështje thjesht personale. Është një detyrim për të thënë se shumçka duhet ta bëjmë më mirë. Jo unë, por Koha e kërkon.

Ndarja e rëndësishme që duhet bërë qartë nuk është mes njerëzve. Është mes sektorëve funksionues shtetërorë, dhe strukturave abuzive personale. Partia Socialiste e ka pasur dhe e ka energjinë e nevojshme për përmirësime dhe transformim në dobi të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit