

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Liman Berishën për kanosjen ndaj moderatorit të njohur Alaudin Hamiti, duke vendosur dënimin me gjobë dhe jo burg.
Vendimi u dha nga gjyqtari Eroll Gashi, i cili konstatoi se i pandehuri ka kryer veprën penale të “Kanosjes”.
Një ditë para shpalljes së aktgjykimit, Berisha kishte pranuar fajësinë dhe kishte shprehur pendesë, duke kërkuar lehtësim të dënimit. Prokuroria nuk e kundërshtoi këtë qëndrim, duke i hapur rrugë vendimit përfundimtar të gjykatës.
Sipas vendimit, i pandehuri është dënuar me një gjobë prej 2,500 eurosh, e cila mund të paguhet në dy këste. Gjykata ka vendosur gjithashtu ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak, ndërsa periudha e kaluar në këtë masë do të llogaritet si pjesë e shlyerjes së gjobës, me konvertim prej 20 euro për çdo ditë.
Në rast të mospagesës, gjoba do të zëvendësohet me dënim me burg, sipas përllogaritjes një ditë burg për çdo 20 euro të papaguara.
Ngjarja lidhet me një incident të ndodhur më 26 nëntor 2024, kur i pandehuri kishte dërguar mesazhe kërcënuese përmes rrjeteve sociale ndaj moderatorit, duke shkaktuar ndjenjë frike dhe pasigurie.
Përveç gjobës, Berisha është detyruar të mbulojë edhe shpenzimet procedurale, ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar që kërkesat pasurore t’i ndjekë në rrugë civile.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






