

Është finalizuar operacioni i koduar “Risku” në zonën e Kamzës, ku Policia e Tiranës tha sot se ka arrestuar dy të rinj, njëri prej të cilëve lëvizte i armatosur dhe me maskë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 i kanë bërë shenjë ndalimi një motomjeti në fshatin Çekrezë, ku udhëtonin shtetasit A. K., 23 vjeç dhe A. A., 18 vjeç, të dy banues në Kamëz.
Drejtuesi i motomjetit nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke tentuar të largohet.
Pas ndjekjes nga efektivët, të dy shtetasit janë kapur dhe vënë në pranga. Gjatë kontrollit në motomjet, Policia ka gjetur një pistoletë me municion luftarak si dhe një maskë.
Kontrollet kanë vijuar edhe në banesën e 23-vjeçarit, ku janë zbuluar një armë gjahu dhe një armë sportive.
Në total janë sekuestruar tre armë, municion, maska dhe motomjeti i përdorur nga të rinjtë.
Pasagjeri në motomjet është arrestuar për moskallëzim të krimit.
Operacioni “Risku” është zhvilluar në kuadër të kontrolleve dhe punës operative për identifikimin dhe ndalimin e personave që cenojnë sigurinë publike dhe përbëjnë rrezik për ngjarje kriminale kundër personit dhe pronës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






