

Komuniteti lokal i Argostolit në Kefaloni të Greqisë është në zi pas vdekjes tragjike të 19-vjeçares Myrto, vajza e një nëne shqiptare dhe babai vendas që vdiq në rrethana ende të paqarta.
Sot, në orën 15:00, do të zhvillohet ceremonia mortore në Mitropolinë e qytetit dhe e ndjera do të përcillet në banesën e fundit.
Ndërkohë, sot në orën 10:00 paradite pritet që të tre të arrestuarit për vdekjen e vajzës të dalin para drejtësisë për të dhënë dëshmitë e tyre. Ata akuzohen për vrasje me dashje përmes mosveprimit dhe për raste të rënda të posedimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike.
Në të njëjtën kohë, dalin në dritë gjithnjë e më shumë detaje për natën tragjike, duke tronditur opinionin publik.
“E ngacmonin sepse nuk pranonte, nuk iu dorëzua”
Babai i vajzës, dukshëm i tronditur, foli për median greke dhe deklaroi:
“E ngacmonin seksualisht, i shkonin pas. Sepse vajza ime nuk pranonte, ata zbatuan një plan: ajo njohu një djalë përmes Facebook-ut. Ai është nga i njëjti fshat me njërin prej tyre dhe e ftuan të vinte në Kefaloni për t’u njohur. Ishte vajzë e pastër, e pafajshme dhe pranoi.”
“Para jush kishit një vajzë të mrekullueshme dhe po mendonit si ta përdornit për një lidhje. Pse ma vranë fëmijën?”, shtoi ai.
Nëna e Myrtos, e shkatërruar emocionalisht, tha:
“Dua të shkoj tani në polici dhe t’i pyes pse ia bënë këtë vajzës sime. Të paktën pse nuk e çuan në spital. U humb kohë. Unë do iki bashkë me vajzën time.”
Më herët, një shoqe e 19-vjeçares kishte bërë një denoncim anonim për 23-vjeçarin me të cilin ajo kishte shkuar në Airbnb atë natë.
Ajo deklaroi: “Unë besoj se i kishin ngritur kurth, për ta futur në prostitucion. Myrto ishte shumë e bukur. E kishte njohur 23-vjeçarin online dhe në fillim e kishte refuzuar. Prandaj mendoj se ishte kurth dhe ai i kishte thënë ‘do të të gjej dhe do të të vras’.”
Si ndodhi ngjarja
Myrto kishte shkuar mbrëmjen e së hënës në një apart-hotel në qytet me një 23-vjeçar. Disa orë më vonë, rreth orës 02:00 të mëngjesit, ai dyshohet se i propozoi përdorimin e kokainës. Në dhomë u thirr edhe një 26-vjeçar, ish-peshëngritës, i cili dyshohet se solli substancat dhe konsumoi bashkë me ta.
Më pas, 26-vjeçari u largua dhe u kthye sërish me një sasi tjetër, këtë herë i shoqëruar nga një 22-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili sipas policisë nuk konsumoi.
Në atë moment dyshohet se 19-vjeçarja u rrëzua dhe humbi ndjenjat pas përdorimit të kokainës. Pamjet nga kamerat e sigurisë rezultuan vendimtare.
Në to shihet vajza pa ndjenja, ndërsa 26-vjeçari e mban në krahë dhe vrapon për ta nxjerrë nga apartamenti ku ajo qëndronte me 23-vjeçarin.
Më pas, të arrestuarit e lanë pa ndjenja në një shesh në qendër të Argostolit dhe njoftuan një shoqe të saj, e cila thirri ambulancën. Por për Myrton ishte tashmë tepër vonë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






