Transmetuar më 17-04-2026, 07:42

ATHINË, 17 prill – Vdekja tragjike e një 19-vjeçareje shqiptare në ishullin Kefalonia po merr një zhvillim të ri, pasi në dritë kanë dalë dëshmi dhe komunikime që hedhin më shumë dritë mbi orët e fundit të saj.

Sipas mediave greke, përfshirë Zougla, një 66-vjeçar nga Preveza ka deklaruar se kishte komunikuar me të renë përmes aplikacionit WhatsApp dhe i kishte dërguar 220 euro, me qëllim që ajo të siguronte një vend për të kaluar natën.

Në dëshminë e tij, ai shprehet se më 13 prill, rreth orës 23:38, kishte marrë një video-telefonatë nga 19-vjeçarja, e cila ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike. Sipas tij, ajo kishte dalë nga shtëpia dhe kishte në plan të qëndronte jashtë, pasi nuk kishte para me vete. Ai i kishte sugjeruar të kthehej në banesë ose te ndonjë shoqe, por vajza kishte refuzuar, duke pretenduar se nuk kishte askënd.

66-vjeçari pohon se më pas i ka dërguar shumën prej 220 eurosh përmes një platforme transferimi, në mënyrë që ajo të mund të qëndronte në një hotel dhe të mendonte më qetë për situatën e saj.

Komunikimi i fundit mes tyre, sipas tij, ka ndodhur në orën 04:02 të mëngjesit të 14 prillit, gjatë një video-telefonate të shkurtër. Ai pretendon se e reja dukej në gjendje më të stabilizuar dhe ndodhej e shtrirë në një dhomë, por telefonata u ndërpre papritur pasi një person hyri në ambient.

Më pas, rreth orës 05:00, ai është informuar nga një 23-vjeçar se vajza ishte dërguar në spital, ndërsa më vonë ka mësuar për ndarjen e saj nga jeta.

Nga ana tjetër, 23-vjeçari në deklarimet e tij para autoriteteve ka dhënë një version të ndryshëm të ngjarjes, duke pretenduar se mbrëmja kishte qenë normale dhe se ata kishin shkuar në një dhomë me qira për të pushuar.

19-vjeçarja humbi jetën në zonën e Argostoli, ndërsa autoritetet greke dyshojnë se shkaku i vdekjes mund të lidhet me një mbidozë të lëndëve narkotike. Lidhur me ngjarjen, tre persona janë shoqëruar në polici, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit