Transmetuar më 16-04-2026, 22:40

TIRANË – Policia e Shtetit ka nisur procedim penal ndaj avokatit Altin Goxhaj, pas një incidenti të ndodhur gjatë një ndërhyrjeje të patrullës së rendit në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Kavajës” në Tiranë, ku efektivët kanë ndaluar automjete të parkuara në korsinë e dedikuar, duke kërkuar lirimin e rrugës.

Gjatë ndërhyrjes, një taksi është afruar pas automjetit të policisë. Kur efektivët kanë kërkuar zhvendosjen e mjetit, pasagjeri në taksi, i identifikuar si A. G., dyshohet se ka kundërshtuar urdhrat dhe ka përdorur gjuhë fyese ndaj punonjësve të policisë, së bashku me drejtuesin e automjetit.

Sipas policisë, situata ka vijuar me mosbindje ndaj urdhrave të përsëritura, çka ka çuar në shoqërimin e shtetasit në ambientet e Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.

Pas veprimeve procedurale, ndaj tij është ngritur procedim penal për veprën “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, ndërsa hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Më datë 16.04.2026, rreth orës 20:00, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 2, duke patrulluar në rrugën “Kavajës”, ka ndaluar për të marrë masa ndaj drejtuesve të automjeteve të parkuara në korsinë e dedikuar.

Në kohën kur punonjësit e Policisë ishin duke kryer detyrën, një automjet taksi është parkuar mbrapa makinës së Policisë.

Punonjësit e Policisë i janë afruar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të automjetit të vijojë lëvizjen, por nga mjeti taksi, që drejtohej nga shtetasi A. B., 26 vjeç, doli shtetasi A. G., 56 vjeç (avokat), i cili ka filluar të ofendojë dhe, së bashku me drejtuesin e automjetit, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë që ishin duke kryer detyrën, për të vijuar lëvizjen.

Në këto kushte, punonjësit e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 shtetasin A. G., i cili edhe gjatë shoqërimit ka vijuar të kundërshtojë punonjësit e Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, shtetasi A. G., u procedua penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për të respektuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe për të përmbushur detyrën që i ngarkon ligji.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit