

Një debat i ashpër verbal është regjistruar në emisionin Top Story, ku moderatorja Grida Duma ka kërkuar largimin nga studio të drejtorit të komunikimit të PD-së, Alfred Lela.
Përplasja ka nisur gjatë diskutimit për çështje politike dhe ekonomike, përfshirë fondet IPARD dhe rolin e opozitës, ku palët kanë shkëmbyer replika të ashpra dhe tone të ngritura.
Situata është tensionuar më tej pas një debati personal mes tyre, ku përdorimi i gjuhës së ashpër ka çuar në ndërprerjen e diskutimit. Moderatorja Duma ka kërkuar që Lela të largohej nga studio, duke argumentuar shkelje të etikës së komunikimit në emision.
Ngjarja ka shkaktuar debat edhe në rrjetet sociale, për mënyrën e zhvillimit të përplasjes dhe ndërprerjen e intervistës në transmetim live.
Pjesë nga debati:
Alfred Lela: Diskutimi për IPARD-in është shumë me lidhje për mijëra fermerë shqiptarë.
Grida Duma: Krejt pa lidhje është.
Alfred Lela: Jo, po duhet të flas opozita çfarë do Top Channel.
Grida Duma: Top Channel, Lela, të do ty këtu për të thënë të vërtetën, se me këto rritet audienca.
Alfred Lela: Pse, çfarë ishte e pavërtetë? Topi është i jot, penalltinë gjuaje vetë.
Grida Duma: Te fusha ime nuk gjuan dot penallti ti, sado të zgërdhihesh. Se çdo ‘Topi’ ta tregojë unë tani. Topi do që këto deputetët e Tiranës, që po i bëni ju fresk, të shkojnë te ato pallatet atje.
Alfred Lela: Gishtin mos ma drejto mua, se nuk jam zëdhënësi yt, as rrogëtari yt. Atë gishtin fute ku të duash. Mos ma drejto gishtin mua.
Grida Duma: Ia drejtoj kujtdo që vjen në studion time për qejf.
Alfred Lela: Mos ma drejto gishtin mua, fute…
Grida Duma: Ta drejtoj gishtin 100 herë dhe të nxjerr edhe jashtë sa herë të dua për mungesë etike. Të ikësh, Lela, që ç’ke me atë punë. Dhe fute ti gishtin pastaj. Hajde, ik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






