

Evropa ka vetëm rreth 6 javë rezerva të karburantit për avionë, paralajmëroi drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, duke ngritur alarmin për anulime të mundshme fluturimesh nëse kriza energjetike vazhdon.
Në një intervistë për Associated Press, Birol theksoi se bllokimi i furnizimeve me naftë për shkak të konfliktit në Iran dhe tensioneve në Ngushticën e Hormuzit po krijon një situatë shumë të rrezikshme për transportin ajror dhe ekonominë globale.
Ai e cilësoi situatën si “kriza më e madhe energjetike që kemi përjetuar ndonjëherë”, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë.
“Do të ketë ndikim të madh në ekonominë globale. Sa më shumë të zgjasë kjo situatë, aq më keq do të jetë për rritjen ekonomike dhe inflacionin në mbarë botën”, u shpreh Birol.
Sipas tij, pasojat do të ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët përmes rritjes së çmimeve të karburantit, gazit dhe energjisë elektrike.
Ai theksoi se vendet aziatike do të preken të parat, pasi varen më shumë nga energjia e Lindjes së Mesme, duke përmendur Japoninë, Korenë, Indinë, Kinën, Pakistanin dhe Bangladeshin.
“Më pas do të vijë radha e Europës dhe Amerikës”, shtoi ai.
Birol paralajmëroi se nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet, shumë shpejt mund të ketë anulime fluturimesh në Europë për shkak të mungesës së karburantit për avionë.
Ndërkohë, disa kompani ajrore në Azi kanë filluar tashmë të anulojnë fluturime për të përballuar rritjen e kostove të karburantit, duke treguar se kriza po jep efektet e para konkrete në transportin ajror.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






