

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të enjten se takimi i ardhshëm mes SHBA-së dhe Iranit mund të zhvillohet gjatë fundjavës, duke shtuar se nuk është e sigurt nëse do të jetë e nevojshme zgjatja e armëpushimit.
“Gjërat po ecin mirë, këtë mund t’jua them”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Nuk jam i sigurt se nevojitet zgjatje armëpushimi.”
Ai shtoi se Irani po kërkon me ngulm një marrëveshje dhe ka treguar se është “i gatshëm të bëjë gjëra sot që nuk ishte i gatshëm t’i bënte para dy muajsh”.
I pyetur pak më vonë se çfarë do të ndodhë nëse SHBA-ja dhe Irani nuk arrijnë të bien dakord për një marrëveshje të përhershme, Trump paralajmëroi se sulmet do të rifillojnë dhe do të ashpërsohen.
“Nëse nuk ka marrëveshje, luftimet do të nisin sërish”, tha ai.
Trump pretendoi se Irani ka rënë dakord të mos sigurojë armë bërthamore për më shumë se 20 vjet dhe të dorëzojë rezervën e uraniumit të pasuruar.
“Kemi një deklaratë, një deklaratë shumë të fortë, se ata nuk do të kenë armë bërthamore për më shumë se 20 vjet”, u tha ai gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Madje, presidenti amerikan deklaroi se nëse arrihet marrëveshja dhe ajo nënshkruhet në Islamabad, nuk përjashtohet mundësia që ai vetë të jetë i pranishëm, duke shtuar se Teherani “ka rënë dakord pothuajse për gjithçka”.
Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, Donald Trump tha se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane po vazhdon me sukses, duke e cilësuar atë “mbresëlënëse” dhe duke vlerësuar se ajo ka kufizuar ndjeshëm aktivitetin ekonomik të Iranit.
Presidenti amerikan e cilësoi gjithashtu si “shumë emocionuese” mundësinë e një takimi në Shtëpinë e Bardhë mes Izraelit dhe Libanit, duke shprehur optimizëm se të dyja palët mund të arrijnë një marrëveshje paqeje.
“Mendoj se do të kemi një takim”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se ai mund të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë “brenda një ose dy javësh të ardhshme”. Sipas tij, do të ishte takimi i parë i këtij lloji pas 44 vitesh.
Ftesa e Trump erdhi pak pasi Izraeli dhe Libani ranë dakord për një armëpushim 10-ditor, të cilin ai e cilësoi si “një paketë shumë të mirë të vogël për rreth një javë”. Nëse të dy vendet arrijnë një armëpushim të përhershëm, Trump tha se marrëveshja do të përfshijë edhe Hezbollahun.
“Mendoj se do të kemi marrëveshje me Libanin dhe se ata do të marrin përsipër çështjen e Hezbollahut”, deklaroi ai, duke shtuar se do të ishte i hapur edhe për një vizitë në Liban “në momentin e duhur”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






