Transmetuar më 16-04-2026, 21:18

Një dëshmi e re ka dalë në dritë lidhur me rastin e 19-vjeçares Mirto, e cila mund të ndryshojë rrjedhën e hetimeve dhe versionin e deritanishëm të ngjarjes.

Sot në mesditë, një burrë 66-vjeçar dha dëshmi para policisë në Prevezë, duke paraqitur një version që bie ndesh me atë të 23-vjeçarit të akuzuar, i cili ndodhej me të renë natën e ngjarjes. Ai dorëzoi edhe mesazhe për të mbështetur pretendimet e tij.

Sipas dëshmisë së tij, të publikuar nga “Zougla” që citon noa.al, ai ishte njohur me 19-vjeçaren përmes aplikacionit WhatsApp, ku komunikonte si me të, ashtu edhe me 23-vjeçarin, të cilin e njihte prej një viti. “Bisedat tona në grup ishin të karakterit shoqëror”, theksoi ai.

Ai dha detaje të rëndësishme për natën fatale:

“Më 13 prill 2026, në orën 23:38, mora një video-thirrje nga një numër me profilin ‘Mirto A…’, e cila zgjati 13 minuta. Vajza ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe më tha se kishte dalë nga shtëpia dhe do të kalonte natën në stolat e rrugës, pasi nuk kishte para me vete. I sugjerova të kthehej në shtëpi ose te ndonjë mik, por më tha se nuk kishte askënd dhe se kishte qëndruar edhe më parë në stolat e rrugës”.

Në dëshminë e tij, ai shton se i propozoi t’i dërgonte para që të qëndronte në një hotel dhe të mendonte më qetë ditën tjetër.

“I kërkova një llogari bankare dhe ajo më tha t’ia dërgoja përmes IRIS. I dërgova 220 euro dhe në atë moment mësova edhe mbiemrin e saj, të cilin nuk e dija më parë”.

Sipas tij, komunikimi i fundit mes tyre ndodhi në orën 04:02 të datës 14 prill, përmes një video-thirrjeje që zgjati rreth dy minuta.

“E pashë që ndodhej në një dhomë, e shtrirë dhe në gjendje më të mirë krahasuar me më parë. Thirrja u ndërpre papritur, sepse dikush hyri në dhomë. Fjala e fundit që arrita të dëgjoj ishte ‘Dimitris’, edhe pse nuk jam plotësisht i sigurt”.

66-vjeçari shton se rreth orës 05:00 të mëngjesit u informua nga 23-vjeçari se vajza ishte dërguar në spital. Sipas tij, i riu e kishte pyetur se çfarë të bënte me telefonin e saj, ndërsa ai i kishte thënë ta kthente tek ajo.

Mëngjesin e së njëjtës ditë ai mësoi për vdekjen e 19-vjeçares.

Nga ana tjetër, 23-vjeçari në dëshminë e tij paraprake nuk përmend asnjë nga këto elemente, por e përshkruan mbrëmjen si një dalje normale me Mirton, që përfundoi në një apartament me qira për t’u relaksuar dhe për të bërë video në TikTok.

Kjo dëshmi e re pritet të shqyrtohet nga autoritetet, pasi mund të sjellë një kthesë të rëndësishme në hetimin e plotë të ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit