

Rasti i vdekjes së 19-vjeçarit në Argostoli ka tronditur Kefaloninë. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, Myrto vdiq nga edema pulmonare dhe më pas nga arresti kardiak, pas përdorimit të kokainës
“Dua të dalë e vërteta. Mirtua ime nuk kthehet më. E vetmja gjë që kam dashur në këtë jetë ishte të mos i ndodhte asgjë Mirtos. Unë besoj se i kishin ngritur një kurth, për ta futur në prostitucion.
Ishte shumë e bukur shoqja jonë, Mirtua. E shihni vetë, apo jo? Me 23-vjeçarin ishte njohur në internet dhe në fillim e kishte refuzuar.
Prandaj mendoj se ishte kurth dhe ai i kishte thënë: ‘Do të të gjej dhe do të të vras’. Këtë ia kishte thënë më parë, disa muaj më parë, dhe më pas u takuan sërish”, u shpreh një shoqe e 19-vjeçares.
Ajo shtoi: “Ia kishte thënë gjatë një telefonate. Pastaj, pas një ose dy muajsh, u njohën përmes një aplikacioni ku komunikon live. Kishin folur rreth një muaj online.
Ai erdhi për pushime në Pashkë dhe i bëri atë që i bëri. Unë mendoj se ishte ose hakmarrje ose kurth. Madje e pyeta: ‘Mirtua, a nuk e kupton zërin tënd? Nuk e ka kuptuar?’ Më tha: ‘Jo, nuk ka kuptuar asgjë’”.
Ndërkohë, akuza të rënda ka edhe për 26-vjeçarin e bashkëakuzuar, ish peshëngritës. Një ish-partnere e tij përshkruan sjelljen e tij: “Në përgjithësi kishte sjellje problematike dhe karakterizohej nga pakujdesia në çdo aspekt. Vajzat i shihte si mjete, pa asnjë ndjenjë”.
Gjithnjë e më shumë persona në Kefaloni po flasin. Sipas informacioneve, një e re ka bërë kallëzim në polici, duke deklaruar se në të kaluarën kishte njohur 26-vjeçarin, ish-peshëngritës, në një lokal. Sipas saj, kishte konsumuar vetëm dy pije, por të nesërmen u zgjua në shtëpinë e saj pa asnjë kujtim për atë që kishte ndodhur.
“Më ka ndodhur edhe mua një herë, por nuk fola. Kur dëgjova për këtë rast, më shkoi menjëherë mendja tek ai person, edhe pa dalë emrat. Prandaj bëra kallëzim në polici, sepse më kishte ndodhur edhe mua. Kisha dalë vetëm, pas një ndarjeje, për të pirë dy pije me 10 euro që të mos pija më shumë, dhe u zgjova të nesërmen në shtratin tim pa kujtuar çfarë kishte ndodhur. Më thanë se ai ishte pranë meje dhe kishim kërcyer. E mbaj mend shumë pak, vetëm momentet e para.
Mendoj se bëhet fjalë për substanca. Besoj se edhe vajzës i kanë hedhur diçka. Para se të dilte emri i tij, sapo dëgjova historinë, thashë: ‘Ky është’. Ka reputacion të keq në ishull, ai dhe vëllai i tij. U frikësova dhe nuk dola më as në atë lokal. Kam humbur ndjenjat në lokal, më ndihmoi një vajzë dhe të nesërmen më tregoi çfarë kishte ndodhur.
Nuk fola kurrë, sepse jemi familje e njohur në shoqëri dhe nuk e vazhdova çështjen. E kuptova çfarë kishte ndodhur vetëm të nesërmen. Atë natë u përmenda, por nuk e kuptoja situatën. U zgjova në shtëpi pa e ditur si kisha përfunduar aty. Ai më ishte afruar dhe më pas nuk mbaj mend asgjë. Mbaj mend vetëm se isha në një gjendje të rëndë. Ai e bën këtë si sistem, ai dhe vëllai i tij. Kanë emër shumë të keq në shoqëri”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, 26-vjeçari ish-peshëngritës ka deklaruar se nuk ka pasur probleme me ligjin, se nuk është përdorues i substancave narkotike dhe se ishte i përqendruar tek sporti.
Megjithatë, sipas informacioneve të publikuara, ai është akuzuar 7 herë për plagosje, 2 herë për dëmtim prone, një herë për vjedhje, 2 herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe një herë për posedim të lëndëve narkotike.
Rasti i vdekjes së 19-vjeçares në Argostoli ka tronditur opinionin publik në Kefaloni. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, Mirtua ka ndërruar jetë nga edemë pulmonare dhe më pas nga arrest kardiak, pas përdorimit të kokainës.
Për këtë çështje janë të akuzuar tre të rinj: 23-vjeçari që e shoqëroi në Airbnb, 26-vjeçari ish-peshëngritës që dyshohet si furnizues i lëndëve dhe një 22-vjeçar tjetër. Të tre janë filmuar nga kamerat duke hyrë dhe dalë nga ambienti, ndërsa rreth orës 04:00 të mëngjesit, 26-vjeçari shihet duke e transportuar pa ndjenja.
Të dyshuarit hedhin përgjegjësinë tek njëri-tjetri, ndërsa 23-vjeçari pretendon se takimi dhe përdorimi i substancave ishte organizuar nga vetë 19-vjeçarja. Dy të tjerët, nga ana tjetër, e konsiderojnë atë si përgjegjësin kryesor.
Të tre pritet të dalin para hetuesit më 17 prill, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.







Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






