Transmetuar më 16-04-2026, 20:40

NAPOLI – Një grabitje e armatosur ka ndodhur në mes të ditës në Napoli, ku disa persona mbajtën peng rreth 25 qytetarë brenda një dege bankare përpara se të arratiseshin përmes një tuneli.

Ngjarja u regjistrua në një filial të Crédit Agricole, ndërsa policia rrethoi menjëherë zonën pas marrjes së njoftimit. Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë BBC, autoritetet zhvilluan negociata me grabitësit, të cilat çuan në lirimin e pengjeve rreth dy orë pas nisjes së incidentit.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve, të cilët thyen xhamat e bankës për të ndihmuar njerëzit të dalin. Shumë prej të liruarve u shfaqën të tronditur, ndërsa disa morën ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së shokut.

Sipas dëshmive, grabitësit ishin të armatosur, por nuk ushtruan dhunë fizike ndaj pengjeve. Autoritetet konfirmuan se nuk ka persona të lënduar rëndë.

Forcat speciale të karabinierëve u dërguan me urgjencë në vendngjarje, ndërsa ndërhyrja përfundimtare u shoqërua me përdorimin e granatave shokuese dhe të shtëna paralajmëruese.

Megjithatë, kur forcat e sigurisë hynë në ambientet e bankës, autorët kishin arritur të largoheshin përmes një tuneli, që dyshohet se lidhet me rrjetin e kanalizimeve të qytetit.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa ende nuk është përcaktuar vlera e dëmit, pasi dyshohet se grabitësit kanë marrë përmbajtjen e kasafortave personale dhe jo para në dorë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit