

WASHINGTON – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim 10-ditor mes Izraeli dhe Libani.
Sipas deklaratës së publikuar në platformën Truth Social, armëpushimi pritet të hyjë në fuqi në orën 17:00 sipas kohës së Bregut Lindor të SHBA-ve (EST) dhe konsiderohet rezultat i përpjekjeve diplomatike të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Trump bëri të ditur se marrëveshja u arrit pas një serie takimesh të zhvilluara në Washington, D.C., ku – sipas tij – për herë të parë pas më shumë se tre dekadash, përfaqësues të Izraelit dhe Libanit u ulën në të njëjtën tryezë negociatash.
Ai theksoi se bisedimet kanë qenë intensive dhe janë drejtuar nga zyrtarë të lartë amerikanë, me qëllim uljen e tensioneve dhe krijimin e një kanali të drejtpërdrejtë komunikimi mes palëve. Në procesin e ndërmjetësimit janë përfshirë edhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, si dhe Zëvendëspresidenti JD Vance.
Sipas presidentit amerikan, armëpushimi 10-ditor synon të shërbejë si një periudhë testimi për vullnetin e palëve në uljen e armiqësive dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm ushtarak.
Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe do të vijojnë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë dhe afatgjatë, e cila mund të garantojë stabilitet në rajon.
Trump theksoi gjithashtu se SHBA do të mbetet e angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë proces, duke koordinuar komunikimin mes palëve dhe duke monitoruar zbatimin e armëpushimit, të cilin e cilësoi si një hap të rëndësishëm drejt uljes së tensioneve në Lindjen e Mesme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






