Transmetuar më 16-04-2026, 14:09

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta në Kuvend duke pretenduar se aktiviteti i call center-ave në Shqipëri është i lidhur me struktura të organizuara kriminale dhe i mbrojtur, sipas tij, nga shteti.

Berisha deklaroi se në disa qytete të vendit veprojnë qindra call center-a që, sipas tij, përfshihen në mashtrime ndaj qytetarëve në vende të ndryshme të Evropës, përfshirë Italinë, Austrinë, Gjermaninë dhe Spanjën, duke shkaktuar dëme të mëdha financiare.

Ai pretendoi gjithashtu se ky aktivitet, sipas tij, shtrihet në nivele të ndryshme të institucioneve shtetërore, nga policia deri te struktura të larta vendimmarrëse, duke e cilësuar si një “rrjet të mbrojtur”.

Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi gjithashtu Olsi Rama, duke e cilësuar si të përfshirë në mënyrë indirekte në këtë aktivitet, si dhe përmendi emra të tjerë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh në lidhje me skema të dyshuara mashtrimi dhe kriptomonedhash.

Sipas tij, këto veprimtari kriminale përfshijnë rrjete të organizuara që përdorin platforma online dhe teknologji financiare për të realizuar përfitime të paligjshme në shkallë të gjerë.

Deklaratat e Berishës vijnë në një kontekst të debatit të vazhdueshëm politik në Kuvend, ndërsa deri tani nuk ka pasur reagime zyrtare për pretendimet e ngritura në seancë.

Berisha- Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë seancë, zonja dhe zotërinj deputetë. Parlamenti shqiptar ka mbetur vetëm një fiksion dhe nuk është më një realitet. Parlamenti shqiptar nuk mbron më interesat e qytetarëve shqiptarë, po përdoret në mënyrën më të pamëshirë kundër qytetarëve shqiptarë, interesave, pasurive, taksave të tyre. Për herë të parë në gjithë ekzistencën e parlamentit, mandatet e krimit në parlament nuk lejojnë ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Edhe sot që po flasim, në qytetet e Shqipërisë zhvillohet në mënyrë të ethshme një nga veprimtaritë më të përhapura, më të gjera kriminale.

Këto ditë, në qytetet e Shqipërisë me qindra e qindra të ashtuquajtura call-centera vjedhin ditë e natë pensionistët e vendeve që kanë kontribute të jashtëzakonshme, që kanë kontribuar miliarda, miliarda, miliarda në këtë vend për këta qytetarë. Hiena të vërteta nga salla krimi të mbrojtura nga shteti mashtrojnë dhe u grabisin pensionet pensionistëve në Itali, Austri, Gjermani, Spanjë, në një aktivitet fund e krye të mbrojtur nga shteti. Në një aktivitet në të cilin strukturat shtetërore nga polici tek niveli më i lartë janë mburojë.

Në një aktivitet në të cilin përfshihet nga shefi i komisariatit që merr rrogën minimale 5 mijë euro në muaj nga call-centera, tek vëllai i kryeministrit që është de facto sipas burimeve të huaja dhe vetë vendit, bosi kryesor i tyre.

Në këtë aktivitet kriminal, në të cilin ka call-centera që në një javë u vjedhin 30 milionë euro me mashtrim pensionistëve të vendeve të tjera, ka një bashkërendim nga nivelet më të larta tek prokuroria, tek gjykatat, tek policia.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, vetëm ortaku legal i Olsi Ramës, këshilltari zyrtar i Olta Xhaçkës, Amant Josifi, ishte eksponenti më kryesor në Shqipëri i grupit Milton që ka vjedhur së paku 2.2 miliardë euro. Ka përdorur kriptomonedhën për mashtrime që shkojnë miliarda euro. Kur një ditë në këtë parlament, Alban Çela apo Ardian Çela si quhej ai që e rrahu Lubia me nanditët e saj, që drejtonte OSHEE-në, deklaroi se energjinë janë dy kuçedra që po e thithin, njëra është kuçedra e Bitcoin dhe tjetra është kuçedra e kanabisit, shtëpitë e barit, u deshën pak që ta shtronin në dru atë dhe të mos e merrte veten gjer sot.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit