

Tryeza me përfaqësues të Shoqatave të Transportit Urban dhe Interurban, me fokus mbi situatën e krijuar së fundmi nga rritja e çmimit të karburanteve u zhvillua sot në Tiranë dhe qeveria duket se e hëngri shpejt presionin, një ditë pasi të 450 linjat e transportit urban dhe interurban tërhoqën nga qarkullimi më shumë se gjysmën e mjeteve.
Qeveria Shqiptare ofroi të subvencionojë transportin publik, për të rikthyer në normalitet këtë shërbim të domosdoshëm për qytetarët.
Në takimin e zhvilluar sot me shoqatat e transportit publik, qeveria ka propozuar dhënie kompensimi në masën 50 lekë për litër për naftën, për 3 muaj, për të gjithë operatorët e transportit publik në vend.
Por Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata Kombëtare e Transportit Urban dhe Ndërqytetas ka kërkuar subvencionim dyfish ose 100 lekë për litër, një skemë e ngjashme me vitin 2022.
Për propozimin e subvencionimit në masën 50 lekë për litër, Kostandin Foni, kryetar i Shoqatës së Transportit Qytetas, tha se kjo vlerë nuk arrin të mbulojë kostot shtesë nga shtrenjtimi i naftës. Megjithatë ai tha se vlerëson pozitivisht propozimin e qeverisë, si hap të parë për të vijuar normalitetin e shërbimit.
Një ditë më parë në të gjithë vendin shërbimi i transportit publik u reduktua deri në 60%. Operatorët e 450 linjave të transportit në vend paralajmëruan përshkallëzime të mëtejshme nëse nuk do të kishte reagim të institucioneve.
Shoqata ka kërkuar miratimin e një pakete antikrizë emergjente, në përputhje me precedentët ekzistues.
Kështu, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme përmes një pakete mbështetëse financiare, duke marrë si bazë ligjore dhe praktike VKM nr. 225, datë 13.04.2022 “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, pjesë e paketës antikrizë”, e cila është miratuar në kushte të ngjashme krize për kompensimin e kostove të karburantit për operatorët e transportit publik me 100 lekë/litër.
Më 2022, paketa financiare e asaj periudhe ishte rreth 500 milionë lekë, dhe për 6 muaj u përdor jo më shumë se deri 60 për qind e shumës së ofruar.
Shoqata ka kërkuar dhe heqjen e taksës së qarkullimit: "Duke qenë se taksa e qarkullimit përbën një komponent të rëndësishëm në strukturën e çmimit të karburantit, kërkohet pezullimi ose përjashtimi i përkohshëm i saj për operatorët e transportit publik. Kjo taksë është e përcaktuar në Ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar, në nivelin 27 lekë/litër, së bashku me taksën e karbonit prej 3 lekë/litër, dhe aplikohet në mënyrë të njëtrajtshme mbi benzinën dhe gazoilin. Duke qenë një barrë fikse që përfshihet në çmimin final, ajo rëndon proporcionalisht më shumë në kushtet e rritjes së çmimeve të tregut". Kjo pikë duket se nuk është trajtuar në mbledhjen e sotme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






