Transmetuar më 16-04-2026, 12:22

Një 22-vjeçar është arrestuar nga policia në Dibër, i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike, kryesisht ndaj adoleshentëve pranë zonave shkollore.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, i arrestuari me inicialet L.K., 22 vjeç, banues në Peshkopi, është kapur në flagrancë në lagjen “Nazmi Rushiti”, në momentin kur dyshohej se po tentonte të shiste doza kanabisi.

Gjatë kontrollit fizik, policia ka sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike të ndarë në doza, gati për shitje, si dhe një shumë parash që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas disa ditësh hetimesh në terren dhe mbledhjes së informacioneve mbi aktivitetin e dyshuar të të riut.

Sipas policisë, objekt i shpërndarjes së lëndës narkotike kanë qenë kryesisht adoleshentët, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e lidhjeve të mundshme dhe rrjetit të shpërndarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit