Transmetuar më 16-04-2026, 12:19

Pesë persona të arrestuar në kuadër të një operacioni policor ndaj disa qendrave “call center” janë paraqitur sot për t’u njohur me masën e sigurisë, pas hetimeve që lidhen me një skemë të dyshuar mashtrimi ndërkombëtar me pasoja të mëdha financiare.

Sipas dosjes hetimore, autoritetet austriake kanë ngritur alarm që në vitin 2024, duke raportuar se mijëra qytetarë në Austri dyshohet se janë mashtruar përmes platformave online, me një dëm total që vlerësohet të kalojë 30 milionë euro.

Hetimet përqendrohen te platformat “ALPHASCRYPTO”, “CAPITALMARKET24” dhe “GOLDCAPITAL24”, të cilat dyshohet se kanë operuar mashtrime financiare në Austri dhe qytete të tjera gjatë periudhës qershor 2023 – korrik 2024.

Sipas informacionit të përcjellë nga autoritetet austriake, viktimat janë joshur përmes reklamave të rreme, shpesh duke përdorur figura të njohura publike, dhe janë bindur të investojnë në platforma që në realitet nuk kanë realizuar asnjë aktivitet financiar të ligjshëm. Fondet e transferuara dyshohet se janë kanalizuar përmes rrjeteve të strukturuara të pastrimit të parave dhe më pas janë konvertuar pjesërisht edhe në kriptovaluta.

Në dokumentacionin hetimor përmenden gjithashtu dy shtetas shqiptarë si përfitues të shumave të konsiderueshme në kriptovaluta, konkretisht rreth 3.2 milionë dollarë dhe 4.8 milionë dollarë, sipas të dhënave të përcjella nga autoritetet e huaja.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet shqiptare dhe austriake po bashkëpunojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe rolit të secilit prej të dyshuarve në këtë rrjet të dyshuar mashtrimi ndërkombëtar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit