

Zjarri masiv që përfshiu një pallat 12-katësh pranë QSUT-së në Tiranë dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia e disa të miturve, sipas burimeve pranë grupit hetimor.
Hetimet paraprake, të mbështetura në pamje të kamerave të sigurisë të bizneseve përreth, kanë dokumentuar lëvizjet e disa të miturve në zonën ku dyshohet se nisi zjarri.
Sipas këtyre pamjeve, pesë të mitur janë parë pranë pjesës së pasme të një marketi, ku fillimisht dyshohet se ka nisur vatra e zjarrit. Më pas, dy prej tyre largohen duke mbajtur një objekt të paqartë, i cili dyshohet të ketë qenë një copë letër ose material i ngjashëm.
Më tej, ata dyshohet se e kanë hedhur objektin mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit dhe janë larguar menjëherë nga vendngjarja. Pak minuta më vonë, në të njëjtin vend është konstatuar tym, i cili është përhapur me shpejtësi dhe ka përfshirë fasadën e pallatit.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë përkatëse.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






