Transmetuar më 16-04-2026, 10:32

Salianji: Nuk kam qenë dhe s’do jem pjesë e pazareve me Ramën, akuzon Berishën dhe rrethin e tij

Salianji bën ‘mjekun psikiatër’ të kreut demokrat: Berisha po shfaq gjendje të rënduar psiko-emocionale, ka frikë se humb privilegjet

Tiranë – Deputeti Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Sali Berishës, duke i cilësuar ato si sulme të motivuara nga frika dhe mungesa e argumenteve.

Salianji shprehet se sulmet ndaj tij nuk janë të rastësishme dhe as të sinqerta, por tregojnë sipas tij një gjendje të rënduar të Berishës për shkak të garës dhe humbjes së privilegjeve. Ai thekson se kur mungojnë argumentet, dalin shpifjet dhe kur mungon besimi, sulmohet kundërshtari.

"Sulmet e Sali Berishës nuk janë as të rastësishme dhe as të sinqerta. Janë shprehje e qartë e frikës nga gara dhe humbjes së privilegjeve që e kanë bërë të destabilizohet dhe të shfaqë gjendje të rënduar psiko-emocionale!", tha Salianji pak minuta më parë në një reagim publik.

Deputeti nënvizon se nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e pazareve me pushtetin e Edi Ramës, ndërsa akuzon drejtpërdrejt Sali Berishën dhe rrethin e tij se janë të përfshirë në të tilla marrëveshje.

Ai deklaron se ka paguar personalisht për qëndrimet e tij, duke përmendur edhe burgun, goditjet politike dhe sulmet e vazhdueshme, duke theksuar se kjo ka ndodhur jo sepse është përkulur, por sepse nuk është përkulur.

Salianji i cilëson si qesharake akuzat për lidhje me krimin dhe i konsideron ato si shenjë të një paniku të thellë politik. Sipas tij, bëhet fjalë për metoda të vjetra politike, si shpifja, baltosja dhe frikësimi, për shkak të pamundësisë për të përballuar garën.

Ai shton se nuk i trembet askujt dhe nuk shmanget nga përballjet, përkundrazi kërkon një garë të hapur dhe të ndershme përpara demokratëve.

Në reagimin e tij, Salianji thekson se problemi nuk është mendimi ndryshe, por frika nga mendimi ndryshe dhe nga një alternativë që nuk kontrollohet.

Ai apelon se demokratët nuk kanë nevojë për etiketime dhe përjashtime, por për garë reale dhe përfaqësim të ndershëm, duke shtuar se kush i shmanget garës e ka humbur atë pa hyrë.

Në fund, Salianji deklaron se do të vijojë betejën politike pa frikë, me synimin për ta bërë opozitën fituese dhe për të larguar, sipas tij, autokratët si në qeveri, ashtu edhe në opozitë. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit