

Kryeministri Edi Rama zhvillon sot një vizitë zyrtare në Itali, ku do të pritet në Romë nga homologia e tij, Giorgia Meloni.
Takimi mes dy liderëve do të mbahet në Palazzo Chigi në orën 15:00 dhe pritet të fokusohet në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe në çështje të bashkëpunimit rajonal dhe evropian.
“Ditën e enjte, më datë 16 prill, kryeministrja Meloni do të zhvillojë një takim me kreun e qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, në Palazzo Chigi”, thuhet në njoftimin zyrtar të qeverisë italiane.
Qeveria shqiptare nuk ka dhënë informacion për këtë vizitë. Zyrtarisht nuk dihen arsyet dhe axhenda e bisedimeve.
Vizita vjen në një moment kur bashkëpunimi mes dy vendeve është intensifikuar në disa fusha kyçe, përfshirë ekonominë, sigurinë dhe projektet e përbashkëta.
Takimi shihet si një vazhdim i këtij bashkëpunimi dhe një mundësi për të diskutuar hapat e ardhshëm në marrëdhëniet dypalëshe.
Detaje të tjera mbi temat konkrete të bisedimeve pritet të bëhen publike pas përfundimit të takimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






