

Kapet në Belgjikë 29-vjeçari i dënuar për vrasje, në kërkim ndërkombëtar
Tiranë – Një 29-vjeçar i dënuar për vrasje dhe plagosje është arrestuar në Belgjikë, pas bashkëpunimit ndërkombëtar mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve belge.
I arrestuari është Nasi (Thanas) Hodo. Ai akuzohet se në vitin 2017, atëherë vetëm 20 vjeç, vrau 31 vjeçarin Premtim Bega (në foto) si dhe plagosi Ena Myftarin, raporton noa.al.
Po ashtu Nasi Hodo akuzohet edhe për plagosjen e të riut tjetër, Donald Kosta.
Operacioni u finalizua në kuadër të rrjetit ENFAST, ku FAST Albania kontribuoi në shkëmbimin e shpejtë të informacionit që çoi në lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Nasi Hodo, i lindur në Sarandë.
Sipas Policisë, 29-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Vlorës e ka dënuar në vitin 2019 me 18 vite burg për veprat penale “Vrasja me dashje” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Ngjarja për të cilën ai është dënuar daton në 26 korrik të vitit 2017, kur në fshatin Borsh, Sarandë, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, vrau me mjet prerës një shtetas dhe plagosi rëndë një tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Po ashtu, ai është autor edhe i një tjetër plagosjeje.
Çfarë ndodhi më 26 korrik 2017 në Borsh. Hetuesit: Premtim Bega nuk ishte shënjestër e sulmit, u vra gabimisht
Fillimisht siç u raportua atëherë nga mediat, në konflikt janë përfshirë Thanas Hodo dhe Enea Myftari. Ky i fundit ndodhet në spital për shkak të plagëve të marra. Më pas, në ndihmë të Thanas Hodos shkuan shokët e tij, Ronaldo Shehu dhe Xhonatan Muço, ndërsa në ndihmë të Enea Myftarit shkuan Redinel Ormenaj, Donald Kosta dhe Premtim Bega. Sherri mes tyre precipitoi deri në përdorimin e mjeteve prerëse dhe për rrjedhojë gjeti vdekjen Premtim Bega. Ndërkaq, burime pranë grupit hetimor bënë me dije se Bega nuk ishte shënjestër e sulmit dhe se 31-vjeçari u vra gabimisht nga të rinjtë. Ngjarja mes dy grupeve u shënua orët e para së të mërkurës, në vendin e quajtur “Vila”. Si pasojë e sherrit u plagosën edhe tre të rinjtë Redinel Ormenaj, Donald Kosta dhe Enea Myftari. I pari që u vu në pranga ishte Ronaldo Shehu, ndërsa dy të tjerët u prangosën disa orë më vonë, të cilët u kapën të fshehur në malet e fshatit Kudhës.
***
Aktualisht, vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve belge për të finalizuar ekstradimin e tij në Shqipëri, ku i mbeten për të vuajtur edhe 13 vite, 6 muaj dhe 27 ditë burg.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






