

Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Belgjikë, në kuadër të një operacioni të koordinuar ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe atyre belge.
Policia e Shtetit njoftoi se, falë shkëmbimit të shpejtë të informacionit përmes rrjetit ENFAST dhe angazhimit të strukturës FAST Albania, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e 29-vjeçarit Nasi Hodo, i lindur në Sarandë.
Operacioni, i koduar “Ndërveprimi”, u finalizua nga autoritetet belge, të cilat arrestuan të riun me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Sipas burimeve zyrtare, Nasi Hodo ishte dënuar në vitin 2019 nga Gjykata e Vlorës me 18 vite burgim për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, si dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Ngjarja për të cilën ai është dënuar daton në korrik të vitit 2017, kur në fshatin Borsh, Sarandë, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, dyshohet se ka vrarë me mjet prerës një shtetas dhe ka plagosur rëndë një tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Po ashtu, ai akuzohet edhe për plagosjen e një shtetasi tjetër.
Autoritetet shqiptare dhe ato belge vijojnë bashkëpunimin për përfundimin e procedurave të ekstradimit, pasi i arrestuari ka ende për të vuajtur mbi 13 vite burgim nga dënimi i mbetur.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






