Transmetuar më 16-04-2026, 07:37

Operatorët e transportit publik në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit vijojnë edhe sot të operojnë me kapacitete të reduktuara, nga 40 deri në 60%, në pritje të një përgjigjeje nga institucionet për kërkesat e tyre financiare.

Vendimi u mor pas një mbledhjeje të zhvilluar një ditë më parë, ku morën pjesë përfaqësues të rreth 450 linjave në nivel kombëtar, si dhe drejtues të Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban.

Kreu i kësaj të fundit, Dashnor Memaj, deklaroi se operatorët janë në pritje të një takimi me institucionet përgjegjëse për miratimin e kërkesës për kompensim financiar. Në të kundërt, ai paralajmëroi përshkallëzim të mëtejshëm të masave, deri në reduktim më të thellë të shërbimit.

Operatorët kërkojnë kompensim deri në 100 lekë për litër karburant, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, kërkesë e dorëzuar që më 1 prill përmes një pakete antikrizë. Sipas tyre, në nivel kombëtar reduktimi i shërbimit ka arritur deri në 60%.

Në ditën e parë të kësaj situate, në Tiranë numri i autobusëve në qarkullim për rreth 50 linja urbane ra nga 200 në 115 mjete. Ndërkohë, reduktime të ndjeshme u raportuan edhe në qytete të tjera si Durrës, Vlorë, Berat, Lushnjë dhe Peshkopi, ku shërbimi është përgjysmuar ose më shumë.

Sipas përllogaritjeve të shoqatave të transportit, rritja e çmimit të karburantit ka shtuar kostot mujore të operatorëve deri në 800 mijë euro, duke rënduar ndjeshëm situatën financiare të sektorit.

Përfaqësues të industrisë kanë propozuar që kompensimi të aplikohet për një periudhë 6-mujore, me një fond prej rreth 300 milionë lekësh (afërsisht 3 milionë euro), duke ndjekur një skemë të ngjashme me atë të vitit 2022.

Kreu i Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, Kostandin Foni, është shprehur se mekanizmi i kompensimit është i zbatueshëm dhe i bazuar në dokumentacion të verifikueshëm, si faturat e karburantit dhe deklarimet tatimore.

Përveç kompensimit, operatorët kërkojnë edhe masa të tjera lehtësuese, si heqja e taksës së qarkullimit dhe e akcizës për karburantin, si dhe ulja e TVSH-së nga 20% në 5%.

Deri më tani, pavarësisht kërkesave të përsëritura dhe afatit të vendosur për përgjigje më 7 prill, nuk ka ende një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse. Ndërkohë, operatorët paralajmërojnë se mosndërhyrja mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët, përmes reduktimit të mëtejshëm të shërbimit dhe rritjes së kostove sociale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit