

Në një përballje dramatike në Allianz Arena, Bayern Munich mposhti me rezultatin 4-3 Real Madrid, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinalet e UEFA Champions League. Pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë në Madrid, bavarezët vulosën kalimin e turit me një përmbysje spektakolare në shtëpi.
Në gjysmëfinale, skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany do të përballet me kampionët në fuqi, Paris Saint-Germain, që eliminuan një ditë më parë Liverpool.
Ndeshja nisi në mënyrë tronditëse për vendasit, pasi Arda Güler kaloi në avantazh madrilenët që në sekondat e para, duke përfituar nga një gabim i Manuel Neuer. Reagimi i Bayern ishte i menjëhershëm dhe Aleksandar Pavlović barazoi në minutën e 7-të pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Joshua Kimmich.
Megjithatë, Real Madrid riktheu epërsinë në minutën e 29-të, sërish me Güler, i cili realizoi një gol të bukur nga goditja e dënimit. Bavarezët nuk u dorëzuan dhe Harry Kane barazoi shifrat në 2-2 në minutën e 38-të, duke vijuar sezonin e tij të jashtëzakonshëm në aspektin realizues.
Pjesa e parë mbeti e hapur dhe spektakolare: Kylian Mbappé riktheu avantazhin për madrilenët (3-2), ndërsa Vinícius Júnior goditi edhe traversën në një tjetër rast të rrezikshëm.
Në pjesën e dytë, ritmi mbeti i lartë. Manuel Neuer reagoi me një pritje vendimtare ndaj Mbappé, ndërsa Andriy Lunin u detyrua të ndërhynte disa herë për të mbajtur në lojë Realin.
Momenti kyç erdhi në minutën e 86-të, kur Eduardo Camavinga u ndëshkua me karton të dytë të verdhë, duke lënë spanjollët me një lojtar më pak. Bayern përfitoi menjëherë: Luis Díaz barazoi në minutën e 89-të, ndërsa në shtesë Michael Olise realizoi golin e fitores 4-3, duke shpërthyer festën në Mynih.
Në përfundim, një sfidë e mbushur me gola, emocione dhe polemika, ku Bayern Munich siguroi një kualifikim dramatik, ndërsa Real Madrid u eliminua mes protestave, me Güler që u ndëshkua pas vërshëllimës përfundimtare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






