Transmetuar më 15-04-2026, 23:44

Një vajzë shqiptare ka humbur jetën në Greqi dhe tre të rinj janë nën hetim policor pasi e reja vdiq pa iu dhënë ndihma duke u braktisur.

Vajza 19 vjeçare e identifikuar si Myrto, vdiq më 14 prill dhe babai i saj Harallambi apelon për drejtësi.

Sonte kanë dalë detaje dhe dëshmi të fundit për ngjarjen. Sipas dëshmive, Myrto dyshohet se ka marrë drogë nga një djalë 23 vjeçar dhe është braktisur pa ndjenja në shesh nga ai dhe dy të rinjtë e tjerë që ishin me të. Kamerat e sigurisë regjistruan njërin nga tre burrat që mbante vajzën fatkeqe, ndërsa dy të tjerët e ndiqnin.

«Kishte dridhje, por mendova se po bënte shaka»

“Vendosëm të rrimë në një Airbnb për të folur, për të bërë TikTok, për të dëgjuar muzikë dhe gjëra të tilla”, me këto fjalë e nis dëshminë e tij 23-vjeçari G.V., shoku i Mirtos, për atë që ndodhi natën fatale.

Ai është personi që shihet në kamerat e sigurisë duke hyrë me vajzën e pafat në orën 00:27 të mesnatës së së martës në dhomën nr. 10 të një moteli në sheshin qendror të Argostolit. Ai është gjithashtu ai që pastroi me kujdes dhomën pas humbjes së ndjenjave të 19-vjeçares dhe më pas fshehu telefonin e saj.

Media greke “Zougla” publikoi fjalë për fjalë dëshminë e tij për atë natë – e fundit për vajzën e re:

“Myrto në një moment më tha ‘dua të pi’, duke nënkuptuar se donte të konsumonte kokainë. I thashë se njoh dikë që merret me këto gjëra dhe e kontaktova përmes Instagramit G.B. (ish-kampion i peshëngritjes) dhe i thashë se donim një copë. Ai erdhi në apartament pas rreth 15 minutash dhe na solli një qese me kokainë, të cilën e pagoi Myrto. Nuk e di sa para i dha. Ai qëndroi rreth gjysmë ore me ne, duke biseduar dhe qeshur. Myrto kishte konsumuar tashmë kokainë ndërkohë që ishim të tre. G.B. u largua dhe u kthye pak më vonë me një sasi tjetër, të cilën Myrto e kërkonte me insistim. Në një moment erdhi edhe një 22-vjeçar, shqiptar, i thirrur nga G.B., dhe u ul me ne. Aty konsumova një sasi të vogël edhe unë, edhe G.B., edhe Myrto. Në një moment i thashë Myrtos të ndalonte, sepse më dukej sikur po humbiste kontrollin”.

23-vjeçari pretendon se ndërsa ishte në ballkon, e pa vajzën duke u dridhur.

“E pashë që kishte dridhje, po dridhej dhe ishte ulur në shtrat. Mendova se po bënte shaka, por ajo vazhdoi dhe atëherë kuptuam se diçka nuk shkonte. U përpoqëm ta ndihmonim, i ngritëm këmbët lart, por pa rezultat. Nuk e di sa kohë kaloi, sepse isha në shok. U përpoqëm ta ndihmonim, por nuk po përmendej. Vendosa të telefonoja ambulancën, por 26-vjeçari dhe shoku i tij më thanë se kishin frikë të telefononin që të mos përfshiheshin. Unë këmbëngula dhe i njoftova se do të telefonoja. Telefonova me celularin tim urgjencën dhe foli 26-vjeçari. Më thanë se do ta zbrisnin poshtë dhe do të thoshin se e gjetën në rrugë. 26-vjeçari e mori në krahë, ndërsa ishte pa ndjenja, dhe e zbritën poshtë. Unë u përpoqa të pastroja gjithçka në apartament, pasi kishim shampanjë, lëngje dhe gjëra të tjera. Pas pak 26-vjeçari u kthye dhe më tha se ambulanca e kishte marrë dhe se ishte mirë”.

23-vjeçari pretendon se e mori telefonin e Myrtos për t’ia kthyer ditën tjetër. Ai thotë se shkoi edhe në spital, por kur pa policinë u frikësua. Në dëshminë e tij kërkon që secili të mbajë përgjegjësitë që i takojnë.

Pamje nga ngjarja tragjike

Pamje tronditëse dolën në publik, ku ish-kampioni i peshëngritjes shihet duke transportuar Myrton nga Airbnb në Argostoli, për ta lënë më pas pa ndihmë dhe pa ndjenja në sheshin e qytetit.

Kujtojmë se Myrto kishte shkuar mbrëmjen e së hënës në një Airbnb me 23-vjeçarin. Disa orë më vonë, rreth orës 02:00 të mëngjesit, ai dyshohet se i propozoi përdorimin e kokainës. Në dhomë u thirr 26-vjeçari, ish-peshëngritës, i cili dyshohet se solli lëndën narkotike dhe konsumoi me ta. Më pas ai u largua dhe u kthye me një sasi tjetër, këtë herë i shoqëruar nga një 22-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili sipas policisë nuk konsumoi.

Në atë moment, dyshohet se 19-vjeçarja u rrëzua nga konsumimi i kokainës dhe humbi ndjenjat. Pamjet nga kamerat e sigurisë rezultuan vendimtare për hetimin.

Në fotografi, vajza shihet pa ndjenja, ndërsa 26-vjeçari e mban në krahë duke vrapuar për t’u larguar nga apartamenti.

Vajza ndërroi jetë nga arrest kardiak

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, shkaku i vdekjes së 19-vjeçares në Kefalonia ishte arrest kardiak. Megjithatë, shkaku i saktë mbetet ende i paqartë dhe pritet të përcaktohet nga analizat toksikologjike.

Tre të rinj të akuzuar për vrasje me dashje

Fillimisht tre të rinjtë u arrestuan për “ekspozim në rrezik”, por pas hetimeve, akuza u rëndua. Ata tashmë akuzohen për “vrasje me dashje përmes mosveprimit” dhe për “rast të rëndë të posedimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike”. Ata pritet të dalin para gjykatës më 17 prill.

Fshehën telefonin e saj në një kafene

Sipas autoriteteve, 23-vjeçari pas humbjes së ndjenjave të vajzës u kthye në dhomë, fshehu telefonin e saj dhe pastroi vendin ku, sipas dëshmive, ishte konsumuar kokainë.

Telefoni i Myrtos u gjet më pas në një kafene në Argostoli.

Ngjarja mbetet me shumë pikëpyetje, ndërsa rezultatet e analizave toksikologjike pritet të jenë vendimtare për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vdekjen e 19-vjeçares.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit